Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin dhe për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.

Ndërkohë, është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar Adriatik Shehu.

Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë, konkretisht shtetasit D. D., 24 vjeç dhe V. T., 32 vjeç.

Shefi i Policisë Rrugore nuk kishte kontrolluar dhe identifikuar më herët se 17-vjeçari qarkullonte lirshëm pa patentë, gjë që nëse do ndodhte do shmangte ngjarjen e rëndë.

Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb