Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë takimit me kryetarët e bashkive në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian se “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë që nga java e ardhshme sekuestrimin e çdo lloj shisheje qumështi apo produkti bulmeti që shitet pa faturë tatimore, si pjesë e një fushate për formalizimin e tregtisë dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Duke filluar nga e hëna e ardhshme, nuk ka më paralajmërime, por sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë në të gjitha dyqanet dhe tregjet”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se kjo praktikë është e patolerueshme nga pikëpamja ligjore dhe tatimore, por edhe e rrezikshme për shëndetin publik, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta të verës që rrisin rrezikun e helmimeve.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kërkoi që të zhvillohen më shpesh takime në grupe më të vogla mes drejtuesve lokalë, pa dallime politike. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e zonave rurale.
“Siç e tha konsensuali Dhimo Kote, domatja dhe gështenja nuk kanë parti. Nga informacionet që kemi, si kur është puna te domatja, si kur është te gështenja, socialistët dhe demokratët janë të gatshëm që t’i hanë që të dyja,” u shpreh Rama.
(BalkanWeb)
