Kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i Downing Street këtë të mërkurë, pas replikave në distancë mes Donald Trump dhe Zelensky.

“Kryeministri shprehu mbështetjen e tij për Presidentin Zelensky si një udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe tha se ishte krejtësisht e arsyeshme të pezulloheshin zgjedhjet në kohë lufte, siç bëri Mbretëria e Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Kryeministri britanik përsëriti mbështetjen e tij për përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të arritur një paqe të qëndrueshme që e pengon Rusinë nga çdo agresion i ardhshëm.

Në postimin e fundit në Truth Social, presidenti i SHBA, Donald Trump u shpreh se presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelenskyt i ka mbaruar mandati dhe ai refuzon të ketë zgjedhje.

Sipas Trump, Ukraina nuk ka mbajtur zgjedhje presidenciale që nga viti 2019, kur Zelensky, më parë një komedian pa bazë politike, erdhi në pushtet.

Mandati i tij i parë pesëvjeçar në detyrë do të përfundonte në maj 2024. Megjithatë, Ukraina ka qenë nën ligjin ushtarak që nga pushtimi rus në shkurt 2022, që do të thotë se zgjedhjet janë pezulluar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb