Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre ushtarake nga Iraku, bëri të ditur të hënën ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein.

Sipas tij, trupat amerikane janë larguar plotësisht nga territori iraken në përputhje me marrëveshjen mes Bagdadit dhe Uashingtonit, ndërsa njoftimi vjen dy ditë përpara afatit të përcaktuar më parë, 30 shtatorit, për përfundimin e misionit ushtarak të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të në Irak.

Tërheqja pason përfundimin e misionit ushtarak të koalicionit kundër grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS). Qeveria irakene po synon tashmë të marrë përgjegjësinë e plotë për sigurinë në vend, ndërsa bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes pritet të vijojë në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe.

SHBA-të dhe Iraku kishin rënë dakord në vitin 2024 për të mbyllur gradualisht misionin ushtarak të udhëhequr nga koalicioni kundër ISIS. Sipas një zyrtari amerikan, forcat irakene, përfshirë Peshmergat dhe forcat e tjera të sigurisë në rajonin e Kurdistanit irakian, do të udhëheqin luftën kundër grupeve terroriste në vend.

Tërheqja shënon fundin e pranisë ushtarake amerikane në Irak që nisi me pushtimin e vitit 2003. Forcat amerikane u larguan nga vendi në vitin 2011, por u rikthyen në vitin 2014, pas zgjerimit territorial të ISIS. Misioni i tyre u përqendrua më pas në luftën kundër grupit terrorist dhe në mbështetjen e forcave të sigurisë irakene.

Edhe pse largimi ishte planifikuar të përfundonte më 30 shtator, ministri i Jashtëm irakian konfirmoi se forcat amerikane kanë përfunduar tashmë tërheqjen nga territori i vendit. Pas përfundimit të misionit ushtarak, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Bagdadit pritet të fokusohen në këshillim, trajnim dhe shkëmbim informacioni të inteligjencës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb