Nuk kanë mjaftuar situatat e vështira të krijuara nga zjarret gjatë dy ditëve të fundit në Krujë. Një vatër e re zjarri është regjistruar në Krastën e Krujës, pranë lagjes Bojë.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe vatra po përhapet në terren. Ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse është e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe pamundësisë për t’iu afruar drejtpërdrejt vatrës.
Në ndihmë të repartit zjarrfikës të Krujës janë angazhuar rreth 20 ushtarë. Për shuarjen e flakëve po përdoren mjete rrethanore, ndërsa intensiteti i zjarrit është ulur disi.
Banorët ngrenë shqetësimin se kjo është një zonë ku zjarret përsëriten prej disa vitesh, ndërsa deri më tani, sipas tyre, nuk janë marrë masa të mjaftueshme për parandalimin e tyre dhe nuk ka pasur persona të arrestuar për këto raste.
Forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrës.
