Pavarësisht debateve dhe zërave kundër nga radhët e opozitës dhe jo vetëm, në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar këtë të enjte me 95 vota pro, pr/ligji për rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat.

Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat ne komision për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave, ndërsa kujtojmë se kjo reformë ka një kosto totale prej 39 miliard lekësh.

Përveç pagave të deputetëve dhe ministrave, do të rriten dhe rrogat e të gjithë administratës publike, ku përfshihet qeveria qendrore dhe ajo lokale. Ne total do të përfitojnë 130 mijë punonjës. Pagat do të rriten gjate këtij viti dhe vitit të ardhshëm, ku parashikohet që rroga mesatare të arrijë në 900 euro.

Kryeministri Edi Rama paralajmëron për rritje të çmimit të energjisë elektrike

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ndër të tjera ka paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Rama deklaroi se në verë do të rihapet diskutimi për fashën e energjisë elektrike, duke nënkuptuar kështu rritjen e çmimit të dritave.

Deklarata në fjalë vjen pak pas zgjedhjeve të 14 majit, ku PS-ja fitoi 53 bashki të vendit.

Kreu i qeverisë theksoi se deri më tani rritjen e këtij çmimi e mbulon qeveria.

Arlind Qorri dhe Lëvizja Bashkë protestë para Kuvendit, pak para nisjes së seancës

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori nga protesta që po mbahet jashtë Kuvendit, në kundërshtim me vendimin për rritjen e pagave të deputetëve, risolli në vëmendje disbalancën me vlerën e pensionit.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Qori tha se paga e deputetëve është 39 herë më e madhe se e një pensionisti.

Berisha tregon skemën si mund të rriten pagat

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në seancë se si mund të rriten rrogat e mësuesve, policëve, ushtarakëve etj.

Ai e cilësoi akt të turpshëm dyfishimin e rrogave për zyrtarët e lartë, teksa tha se pagat e tjera në raport me inflacionin zbriten me 1%.

Berisha e nisi fjalën e tij me rezultatin e zgjedhjeve, duke përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.

Spiropali replikë me Sali Berishën

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali mes ironisë iu kthye ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa theksoi se shqiptarët e braktisën nga Jugu në Veri.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali tha se Berishën e rrëzuan nga Shkodra, e mohoi Tirana, e braktisi Tropoja dhe e nëmi Kamza në zgjedhjet e 14 majit

Deputetja e PD Jorida Tabak: Mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike

Deputetja e PD-së Jorida Tabakut deklaroi sot në parlament se mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar dhe një kënetë të madhe ekonomike që qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë.

Tabaku tha se është e vështirë rifillimi i seancave aty ku e lamë duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur gjë, pak më shumë se një javë më parë Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë.

Deputeti i PD Dashnor Sula: Rritja e pagës është tepër e lartë

Deputeti i PD Dashnor Sula tha se shtesa e rrogës së tij, do të shkojë për shoqatën e jetimëve në Peqin.

Ai foli me tone të ashpra në Kuvend, kur tha se rritja e pagës për deputetët dhe ministrat është tejet e lartë dhe e pajustifikueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: