Kryesocialisti Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të mundshme në qeveri dhe në udhëheqjen e Partisë Socialiste, duke theksuar nevojën për reflektim të brendshëm dhe përshtatje me sfidat e reja të mandatit të katërt.
Në fjalimin mbajtur para deputetëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 majit dhe ish-deputetëve socialistë, Rama theksoi se për të çuar përpara këtë rrugë, është e nevojshme një fazë e re reformimi të brendshëm dhe bashkëpunimi më të ngushtë me aleatët europianë.
“Kemi mësuar se për t’i arritur këto suksese, duhet një punë e madhe me veten. Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe,” tha kreu i qeverisë.
Edi Rama: “Kemi garantuar drejtësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin dhe kemi bërë histori me vendin tonë brenda kësaj dekade. Kemi mësuar se për t’i arritur këto suksese, duhet një punë e madhe me veten.
Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe. Duhet që të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një mirëkuptim i plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt.”-tha Rama
