Pas nismës me foltoret nga ish-deputeti Ervin Salianji, duket se zërat që shprehin shqetësime ndaj kreut të PD, Sali Berisha, janë shtuar. Kryedemokrati zhvilloi sot një takim me aleatët, ku kërkoi që së bashku të përcaktojnë propozimet për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, duke theksuar se çdo qëndrim do të paraqitet në komision vetëm me dakordësinë e përbashkët.

“Dua t’ju garantoj për vullnetin e plotë të PD që të vendosim së bashku sistemin që si opozitë e konsiderojmë më të përshtatshëm. Pa pretenduar se do të qëndrojmë tek zgjedhja jonë pa mirëkuptimin tuaj. Të bëjmë këtu një përzgjedhje të përbashkët. Përfaqësuesit tanë në komision do të mbrojnë propozimet tona të dakordësuara. Pa harruar se me Edi Ramën zgjedhje reale nuk ka”, u shpreh Berisha.

Megjithatë, pas këtij zotimi, disa aleatë shprehën hapur shqetësimet e tyre. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u shpreh se opozita është tkurrur dhe se aleatët ndihen të nënvlerësuar. Sipas tij, aleatët shpesh perceptohen padrejtësisht si pengesë, ndërsa në fakt përbëjnë vlerë të shtuar për PD.

“Na keni kthyer në tabelë qitjeje. Aleatët sjellin vota dhe marrin më pak se na takon. Që prej ndryshimit të kodit në 2008 ne nuk kemi mundësi të testohemi drejt. Votat tona shpesh nuk pasqyrohen sa duhet. Edhe partitë që dikur kishin shumë më tepër mbështetje janë goditur nga ky sistem, duke humbur gradualisht terren”, tha Ndoka.

Edhe kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ngriti disa kritika, duke nënvizuar se komunikimi me aleatët dobësohet pas zgjedhjeve.

“Do të ishte mirë ta shtrimë pak diskutimin. Ne rrallë kemi raste të tilla, sepse para zgjedhjeve ftohemi, ndërsa pas tyre komunikimi zbehet. E them me keqardhje, pas një bashkëpunimi 20-vjeçar”, u shpreh Alimadhi.

Në takim munguan tre aleatë të rëndësishëm. Fatmir Mediu ndodhet jashtë vendit dhe u përfaqësua nga një këshilltar bashkiak, ndërsa Tedi Blushi nga deputetja Brunalda Hoxha. I pranishëm nuk ishte as Agron Duka. Në tryezë morën pjesë edhe deputetët anëtarë të komisioneve të posaçme për reformën territoriale dhe zgjedhore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: