Pas ngjarjes së rëndë ku 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë dhe takim me studentët dhe punonjësit në trajnim, duke përcjellë mesazhe për etikë, integritet dhe profesionalizëm.
Në fjalën e tij, Hita theksoi rëndësinë e misionit të tyre si oficerë të ardhshëm të rendit dhe sigurisë, duke e konsideruar besimin e qytetarëve si themel të punës policore.
“Besimi i qytetarëve është pasuria jonë më e madhe. Vlerësoni çdo leksion, silluni me etikë dhe integritet”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar studentëve, drejtori i Policisë vlerësoi zgjedhjen e tyre për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë dhe theksoi përgjegjësinë që sjell ky profesion.
“Të dashur studente dhe studentë, zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar. Ai kërkon përkushtim, disiplinë dhe ndjenjë përgjegjësie”, tha Hita, duke shtuar se formimi profesional dhe integriteti janë thelbësorë për karrierën e tyre.
Hita nënvizoi gjithashtu se Akademia funksionon me standarde bashkëkohore dhe programe të harmonizuara me praktikat ndërkombëtare, ndërsa theksoi se shërbimi ndaj vendit kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe ndershmëri.
