Pas kërcënimit me jetë të bërë ndaj gazetarit Osman Stafa, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka zhvilluar një takim me gazetarin, ku në fokus ka qenë situata e sigurisë së medias dhe presioni ndaj gazetarëve në vend.
Lajmi është bërë publik nga Ambasada Holandeze në Tiranë, e cila njofton se gjatë takimit u diskutua mbi lirinë e medias, intimidimin e gazetarëve, sigurinë personale dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët që hetojnë çështje me interes publik.
“Mbrotja e gazetarëve dhe pavarësia e medias janë thelbësore për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, thuhet në reagimin zyrtar të ambasadës.
Gazetari Osman Stafa është përballur së fundmi me kërcënime serioze për jetën e tij, të cilat lidhen me denoncimet publike dhe investigimet që ai ka realizuar mbi problematika të rënda në sistemin shëndetësor, veçanërisht në Spitalin Onkologjik. Për këtë çështje, Stafa ka bërë edhe kallëzim penal pranë organeve ligjzbatuese.
Takimi me ambasadorin Vos shihet si një sinjal i fortë mbështetjeje ndërkombëtare për gazetarët që ushtrojnë profesionin nën presion dhe rrezik, si dhe një mesazh i qartë se kërcënimet ndaj medias nuk mund të normalizohen në një vend që synon integrimin europian.
Rasti i Osman Stafës rikthen edhe një herë vëmendjen mbi sigurinë e gazetarëve në Shqipëri dhe nevojën urgjente që institucionet të garantojnë mbrojtje reale për ata që denoncojnë abuzimet dhe korrupsionin.
