Jola Hysaj, ish-sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, është emëruar në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Lajmi konfirmohet nga burime për BalkanWebb.
Hysaj u largua nga Partia Demokratike në mars të këtij viti, pas një angazhimi disa vjeçar në strukturat drejtuese të selisë blu, ku mbante funksionin e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun.
Në momentin e largimit të saj, ajo bëri të ditur dorëheqjen nga postet që mbante dhe nga anëtarësia në PD, duke argumentuar se disa prej zhvillimeve dhe vendimmarrjeve brenda partisë nuk përputheshin, sipas saj, me parimet e një force politike demokratike.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Hysaj kritikoi mënyrën e funksionimit të strukturave të partisë, duke pretenduar se roli i saj si sekretare për Marrëdhëniet me Publikun ishte reduktuar në aspektin e kompetencave, ndërsa përgjegjësitë publike të këtij funksioni vijonin të mbeteshin.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesve në këshillat bashkiakë, hartimin e listave zgjedhore dhe mungesën e transparencës në proceset e brendshme të PD-së.
“Mungesa e hapjes reale brenda Partisë Demokratike mbetet problemi kryesor”, ishte një prej qëndrimeve të saj, ndërsa shprehej se vendimet e rëndësishme shpesh mësoheshin përmes mediave dhe jo përmes strukturave të partisë.
Në deklaratën e largimit, Hysaj theksoi se pas më shumë se dy dekadash angazhimi në politikë kishte vendosur të tërhiqej nga funksionet dhe anëtarësia në PD, duke e cilësuar këtë një vendim të vështirë, por të nevojshëm për të ruajtur integritetin e saj personal dhe politik.
