Pas tetë ditësh përballje me disa vatra të mëdha dhe aktive zjarri, mëngjesi i kësaj të diele ka sjellë një qetësi të dukshme në të gjithë territorin e Qarkut të Elbasanit. Situata është ndjeshëm më e përmirësuar, ndërsa përpjekjet për shuarjen e plotë të flakëve vijojnë në disa zona malore, që i përkasin bashkisë së Librazhdit.
Vatrat më problematike u regjistruan në katër fshatra të Bashkisë Elbasan dhe asaj të Librazhdit, ku zjarret përfshinë sipërfaqe të mëdha me pyje, bimësi të dendur, shkurre dhe pemë frutore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.
Veçanërisht e vështirë ishte situata në zonën malore të Shmilit, ku zjarri i shfaqur të shtunën e kaluar është shuar pothuajse plotësisht vetëm gjatë orëve të para të ditës së sotme.Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Elbasan, z. Ndriçim Sinani, bëri me dije se mbi 90 efektivë u angazhuan çdo ditë në terren, duke përfshirë forcat zjarrfikëse, emergjencat civile, ushtrinë dhe punonjësit e bashkisë.
Ndërhyrjet u realizuan me mjete të specializuara, por shpeshherë edhe me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer dhe erërave të forta që e bënë më të vështirë përballimin e flakëve.Edhe vatra e fuqishme e zjarrit në masivin pyjor Lugaxhi–Dritas është shuar pas një jave përpjekjesh të pandërprera. Në Bashkinë Librazhd, flakët janë ende të përhapura në zonat pyjore të fshatrave Orenjë, Gurakuq dhe Kostenjë.
Shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Librazhd, z. Partizan Ballolli, raportoi se ndërhyrja vijon në kushte të vështira, ndërsa në terren janë bashkuar edhe banorët e zonave përkrah punonjësve të shërbimit pyjor dhe forcave zjarrfikëse dhe sot parashikohet shuarja e të gjitha vatrave aktive të zjarrit.Aktualisht, nuk ka rrezik për banesat apo jetën e banorëve, por situata vazhdon të monitorohet nga afër. Autoritetet janë në gatishmëri të lartë për çdo përkeqësim të mundshëm, veçanërisht pas identifikimit dje edhe të një vatre të re në zonën “Guri i Muzhaqit”.Gjatë muajit korrik, në Qarkun e Elbasanit janë regjistruar disa vatra zjarri, ndër të cilat më të mëdhatë kanë qenë ai në Bashkinë Belsh, që përfshiu rreth 40 hektarë, dhe ai në Shmil, që mbeti aktiv për më shumë se një javë.Fatmirësisht sot në Qarkun e Elbasanit nuk ka asnjë vatër zjarri aktive në bashkitë Prrenjas,Gramsh,Cërrik,Belsh e Peqin.
Moti i kësaj të diele, me temperatura më të ulëta dhe prezencë reshjesh të pjeshme që në zonat malore kanë zgjatur 15-20 minuta, po ndihmojnë në kontrollin e situatës që tashmë është nën menaxhim të plotë nga autoritetet.
