Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka informuar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, për vendimin e Moskës për të goditur objekte në Kiev të lidhura me forcat e armatosura ukrainase, duke kërkuar njëkohësisht evakuimin e stafit diplomatik amerikan nga kryeqyteti ukrainas.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, Lavrov ka deklaruar se vendimi i Moskës është marrë si “përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme terroriste të regjimit të Kievit” ndaj objektivave në territorin rus.
Po ashtu, pala ruse ka njoftuar se forcat e saj kanë nisur “sulme sistematike” ndaj infrastrukturës që, sipas tyre, shërben për nevojat e ushtrisë ukrainase, përfshirë edhe qendra të vendimmarrjes në Kiev.
Në komunikatën zyrtare thuhet gjithashtu se Lavrov i ka përcjellë SHBA-së paralajmërimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës, duke iu referuar thirrjes së Moskës për largimin e personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj nga Ukraina.
Moska ka argumentuar se këto masa lidhen me zhvillimet e fundit të luftës dhe sulmet e raportuara nga pala ukrainase, ndërsa Uashingtoni ende nuk ka reaguar zyrtarisht mbi bisedën e raportuar, nga mediat e huaja.
