KORCE-Një javë më parë, pazari i Korçës u përmbyt për herë të tretë nga shiu, dhe duket se problemi qëndron te tubat e shkarkimit. Por duket se kjo situatë nuk do përsëritet më, pasi Bashkia e Korçës ka nisur ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve për evitimin e përmbytjeve.

Ndërmarrja e Shërbimeve të Bashkisë dhe Ujësjellës-Kanalizimet nisën punimet në pjesën periferike të pazarit.

Nënkryetari i Bashkisë Korçë, Thanas Tona, i cili po ndjek nga afër punimet, tha se do të vendosen tuba me kapacitet më të madh thithës dhe shkarkues të ujërave të zeza.

Tona sqaroi se pasi të kryhen këto punime rrjeti do të funksionojë normalisht edhe në pazarin e vjetër të Korçës, tashmë i rindërtuar dhe i kthyer në një pikë atraktive për qytetin.

Është e treta herë që pazari i Korçës përmbytet nga reshjet e shiut, kur 1 javë më parë mjaftuan 30 minuta shi që rrugët të bëheshin të pakalueshme nga uji.

Pazari i Korçës u përmbyt rreth një javë më parë nga vetëm 30 minuta shi me intensitet të lartë. Kjo situatë zgjati për disa orë, aq sa u desh ndërhyrja e Shërbimit Zjarrfikës për të tërhequr ujin.

(BalkanWeb)