Moderatorja e emisionit “Oponencë” në News24, Anduena Llabani, ka bërë deklarata të forta gjatë emisionit, duke kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas saj, drejtohet vendi dhe rreziqet që i kanosen pushtetit aktual.

Llabani u shpreh se në Shqipëri nuk zhvillohet politikë e vërtetë, duke pretenduar se vendi nuk drejtohet nga shqiptarët. “Jemi të blerë. Shqipërinë nuk e drejtojnë shqiptarë. Ka rusë dhe kinezë,” deklaroi ajo, duke shtuar se projektet me të cilat mburret qeveria aktuale, sipas saj, janë të lidhura me shtetas rusë dhe kompani kineze apo ruse.

Sipas saj, kjo situatë përbën rrezikun më të madh për kryeministrin Edi Rama dhe për pushtetin e tij. Ajo theksoi se nuk beson që qeveria të rrëzohet për shkak të aferave korruptive. “Nëse flasim për rënie pushteti, fundi i tij do të vijë nga shitja e sigurisë kombëtare të Shqipërisë,” u shpreh Llabani.

Në vijim, ajo foli edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke theksuar se prania amerikane është aktive dhe e vazhdueshme. “Amerikanët nuk vijnë, amerikanët janë në Shqipëri. Janë te SPAK, janë aty ku thirrën deputetët një nga një për të miratuar reformën në drejtësi,” tha ajo.

Llabani shtoi se, sipas të dhënave që ajo përmendi, ekziston mundësia që deputetë të shumtë të thirren individualisht në Ambasadën Amerikane, me qëllim, siç u shpreh ajo, heqjen e pushtetit të kryeministrit Rama. “Amerikanët bëjnë gjithçka,” përfundoi moderatorja e News24.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb