Një prej aktivistëve të protestës para Kryeministrise ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me pretendimet për skemën e tregtimit të armëve dhe rolin e biznesmenit Ron Yeffet.
Sipas tij, Rama ndodhet nën presion të madh pas publikimit të materialeve të fundit, ndërsa pretendon se Yeffet është kontraktuar nga kryeministri për të kryer atë që ai i cilëson si “punë të këqija”.
“Dje Rama ishte në siklet të madh. Edi Rama është i Ronit, ai amerikano-izraeliti. Edi Rama e ka kontraktuar për punët e këqija. Po ta mendosh, para se ta kontraktonte ky për punët e këqija, ose para se ky personazhi misterioz, kishim kryeministrin që premtonte se do të prodhonte armë, tanke, por skemën na e tregoi Roni. Na e bëri publike marrëveshjen që kishin pasur kur ky ishte kreu i organizatës dhe ai në arrati ishte zv. i kreut të organizatës.”, tha ai.
“Ato që na i shitën si inovacione dhe zhvillime, paskan qenë si ndërmjetësi. I marrim automjetet dhe armët, i fusim ilegalisht, i paketojmë, i marrim paratë dhe më pas armët përfundojnë në fushë-etej. Ky është sikleti më i madh i Ramës pas protestës.”, shtoi ai.
Ai bëri thirrje që protestuesit të vijojnë qëndrimin e tyre pranë institucioneve, duke iu referuar edhe protestës së ardhshme.
“Nuk është njoftuar nëse nesër ka Kuvend apo jo, por nëse ka, duhet të jemi atje që të ballafaqohemi me deputetët që duan t’i ikin qytetarëve. Mos harroni, më 12 shtator diaspora ka njoftuar ardhje masive në Bulevard. Madje diaspora e Londrës, që ka më shumë rrugë për të bërë, është nisur dhe është rrugës për në Shqipëri.”, tha aktivisti.
Në fund, aktivisti iu drejtua shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke i ftuar të marrin pjesë në protestën e 12 shtatorit.
“I bëj thirrje shqiptarëve, diasporës, që më 12 shtator të marrin automjetet, të presin biletat e avionit dhe të vijnë t’i drejtohemi Edi Ramës se Kryeministria është me popullin, as me Ramën, as me Ronin.”, shtoi ai.
