Pas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.

Haradinaj shprehet se duhet qëndruar pranë Amerikës, ashtu siç ata riatdhesuan shtetasit e Kosovës nga Siria.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria!”, shkruan Haradinaj.

Më herët, për këtë çështje reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rama tha se shpreson që edhe Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të strehojë afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, tha Rama ndër të tjera.

Në një postim të gjatë në “Facebook”, kreu i qeverisë shqiptare zbuloi se ka pranuar kërkesën për strehimin në Shqipëri të qindra personave, që sipas tij, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb