TIRANE– Pak pas shkarkimit të tij nga detyra, vjen reagimi i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako. Në një prononcim për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Çako pohoi shkurtimisht se ishte njohur me vendimin për shkarkimin. “U njoha me vendimin për shkarkimin. Jam në zyrë, nuk bëj komente të tjera”, tha Çako.

Kujtojmë se Haki Çako u emërua në krye të Policisë në 15 prill 2015, ndërkohë që sot ai zhvilloi një takim të gjatë me ministrin e Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit teksa vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e Çakos, theksoi se sfidat që e presin Policinë kërkojnë ritëm më të shpejtë.

“Objektivat tona kërkojnë dinamikë të madhe pune. Duhet një lidership i ri në Polici, me energji të reja. Puna e policisë, e orientuar drejt rezultateve konkrete”, tha Xhafaj.

NJOFTIMI
Me propozim të Ministrit të Brendshëm, zotit Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako. Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit e falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb