Përfundon vizita e kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Durrësit. Takimi zgjati rreth një orë dhe u zhvillua në ambientet e bashkisë, ku kreu i qeverisë u prit nga kryetarja Emiriana Sako.
Burime pranë mbledhjes bëjnë me dije se në takim ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e institucioneve në varësi të Bashkisë së Durrësit, përfshirë drejtorin e Policisë Bashkiake Vasil Copa, drejtorin e Shërbimeve Ardian Ilazaj, drejtoreshën e Buxhetit Valbona Dako, drejtoreshën e Çështjeve Juridike Ani Rroshi dhe drejtoreshën e Burimeve Njerëzore, Dhurata Gjoka.
Të pranishëm ishin edhe deputetët që po mbyllin mandatin aktual, si dhe ata që pritet të jenë pjesë e legjislaturës së re, Ani Dyrmishi, Etleva Budini dhe Arkend Balla.
Vizita e Kryeministrit në Durrës duket se ndjek të njëjtin format si në Vlorë dhe Fier, ku qëllimi është rifreskimi i drejtuesve në varësi të bashkisë Durrës. Mësohet se Rama ka kërkuar rifreskimin e të gjithë drejtorëve që janë aktualisht në varësi të bashkisë, ndërsa vendimi përfundimtar për largimin e tyre do të mbetet në dorën e kryebashkiakes Emiriana Sako, bazuar në performancën e secilit prej tyre.
(BalkanWeb)
