Nga Ardian Bushi, autor i emisionit “Vetting”
Rikthehet emisioni investigativ “Vetting”
Sonte në emision në orën 20:05 do të flasin ata që deri dje ishin protagonistë të lajmit, ndërsa sot janë vetë lajmi. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve tanë, ngjarja e paprecedent që ndodhi me televizionin News24 ka marrë vëmendjen e ambasadave të huaja në Tiranë, institucioneve ndërkombëtare, shoqatave të medias, në Shqipëri dhe jashtë saj, institucioneve të pavarura, gazetarëve, analistëve dhe intelektualëve që kanë zgjedhur të jenë në krah të ligjit dhe të së vërtetës.
Sonte do të dëgjohen ata që kanë përcjellë në ekran shqetësimet e qytetarëve, problemet e mësuesve, nxënësve, mjekëve, politikanëve, analistëve e çdo shtrese tjetër të shoqërisë, por që për herë të parë do të flasin për veten e tyre.
Në një akt të paprecedentë, dhuna institucionale zgjodhi forcën në vend të ligjit. Gazetarët e News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Radio RASH u nxorën jashtë nga godina ku punonin, jo me një vendim gjykate, por me një urdhër verbal të Ardi Veliut dhe një tufe policësh. Një akt arbitrar, në shërbim të interesave të një ministrie apo politikani që ka zgjedhur të pasurohet mbi kurrizin e shqiptarëve, duke shpërndarë tenderë tek klientela e oborrit të vet.
Ata që çdo ditë punojnë me fjalën, shënimet, dëgjimin dhe shkrimin për të pasqyruar realitetin shqiptar, sot do të flasin si viktima të një shteti që duhej t’i mbronte.
Për herë të parë, do të dëgjohen jo vetëm gazetarë e avokatë, por edhe reagimet e forta ndërkombëtare, teksa shteti ynë vazhdon të heshtë përballë dhunuesve të ligjit dhe zërit të lirë të medias.
(BalkanWeb)
