Kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja Ina Zhupa ka reaguar menjëherë pas publikimit të kërcënimeve të bera ndaj gazetarit Almer Toska.
Zhupa dënon kërcënimin për shkak të detyrës dhe i konsideron akte të papranueshme në një vend anëtar të NATO dhe kandidat për BE.
Ajo shprehet se liria e medias po cënohet çdo ditë: “Ky akt vjen pas sulmit qeveritar të pak ditëve më parë ndaj gazetarëve të News24 dhe Gazeta Panorama, duke provuar në fakt se tashmë qeveria dhe klientët e saj, të veshur me petkun e biznesmenit, i kanë shpallur luftë lirisë dhe pavarësisë së medias. Për ta i vetmi model i pranueshëm janë mediat që nënshtrohen dhe gazetarët që heshtin përballë abuzimit dhe korrupsionit qeveritar”
Kryetarja e komisionit të medias i bën apel organeve ligjzbatuese të garantojnë sigurinë e gazetarit dhe të familjes së tij si dhe të merren masat e nevojshme ndaj kujdo që cënon dhe kërcënon gazetarët.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës
Në cilësinë e kryetares së Komisionit Parlamentar të Medias dënoj me forcë kërcënimin për shkak të detyrës të gazetarit Almer Toska, drejtues i portalit Timoni.al. Akte të tilla janë të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.
Ky akt vjen pas sulmit qeveritar të pak ditëve më parë ndaj gazetarëve të Neës24 dhe Gazeta Panorama, duke provuar në fakt se tashmë qeveria dhe klientët e saj, të veshur me petkun e biznesmenit, i kanë shpallur luftë lirisë dhe pavarësisë së medias. Për ta i vetmi model i pranueshëm janë mediat që nënshtrohen dhe gazetarët që heshtin përballë abuzimit dhe korrupsionit qeveritar.
Duke shprehur edhe një herë solidaritetin e plotë me gazetarin Almer Toska, apeloj organet ligjzbatuese të veprojnë me shpejtësi ndaj këtij rasti për të garantuar sigurinë personale të gazetarit dhe familjes së tij, duke marrë masat e nevojshme ligjore ndaj kujtdo që cënon lirinë dhe pavarësinë e medias.
(BalkanWeb)
