Ushtria izraelite tha të hënën se do të shembë shtëpitë e dy personave të armatosur palestinezë që qëlluan dhe vranë gjashtë persona në një stacion autobusi në Jerusalem në fillim të shtatorit.
Ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse në qytet në vitet e fundit dhe ndodhi në sfondin e gati dy viteve lufte në Rripin e Gazës. Autorët e sulmit në Jerusalem u vranë në vend nga zjarri izraelit.
Prishja e shtëpive është një taktikë e zakonshme për Izraelin, i cili argumenton se prishjet janë një pengesë për sulmet e ardhshme. Palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se ato janë një formë ndëshkimi kolektiv e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare.
Në shtator, Izraeli urdhëroi prishjen e të gjitha shtëpive të ndërtuara pa leje në Qatana dhe Qubaiba – qytetet e lindjes së autorëve të krimit – dhe tha se 750 banorë të qytetit do të humbisnin lejet e tyre të punës.
