Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, ka njoftuar dorëheqjen e tij vetëm pak orë pasi lideri populist i ekstremit të djathtë dhe partisë anti-myslimane PVV, Geert Wilders, u tërhoq nga koalicioni qeverisës, një zhvillim që pritet të çojë në zgjedhje të parakohshme.

Ministrat që i përkasin partisë PVV do të largohen nga qeveria, e cila do të vazhdojë të funksionojë në formë të përkohshme si qeveri teknike deri në krijimin e një kabineti të ri.

Kryeministri Schoof e cilësoi vendimin e Vilders si “të papërgjegjshëm”. “Gjatë ditëve të fundit i kam informuar disa herë katër liderët e partive që, sipas mendimit tim, rrëzimi i qeverisë nuk ishte i nevojshëm dhe është i papërgjegjshëm”, u tha ai gazetarëve.

Megjithatë, ai konfirmoi se do të qëndrojë në detyrë si kryeministër i përkohshëm. Zgjedhjet e reja nuk priten të mbahen përpara muajit tetor. Formimi i një qeverie të re në Holandë zakonisht merr disa muaj për shkak të peizazhit politik shumë të fragmentuar.

Më herët, Geert Wilders njoftoi tërheqjen e partisë së tij nga koalicioni, me arsyetimin se tre partnerët e tjerë nuk kishin vullnetin të mbështesnin politikat e tij mbi azilin dhe emigracionin.

“Nuk pati marrëveshje për planin tonë të azilit. PVV largohet nga koalicioni”, shkroi ai në platformën X.

Ndërkohë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb