Pas rinumërimit të votave të qarkut Tiranë dhe Fier, sot në orën 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” ka nisur procesi edhe për kutitë e Durrësit.
Janë 290 kuti brenda vendit që do të rihapen, dhe 85 të diasporës për këtë qark.
KAS vendosi rihapjen e një pjese të kutive me kërkesë të PD, dhe pjesën tjetër me kërkesë të kandidatit demokrat Aulon Kalasë, i cili u mbështet nga partia Lëvizja e Legalitetit.
Për 126 kuti do të shqyrtohen edhe materialet zgjedhore sepse PD ka kërkuar verifikimin e vulave.
Në këtë qark, beteja është mes Aulon Kalasë dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit fitoi mandatin me një diferencë prej 1047 votash.
Kalaja protestoi edhe dje para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të Durrësit. Kërkoi gjithashtu paralelisht edhe këqyrjen e pamjeve filmike me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.
Nga rezultatet e rinumërimit të kutive Kalaja pret të rikuperojë votat e nevojshme për të përmbysur rezultatin e Ndojës.
