Kryeministri Edi Rama vizitoi Thethin këtë të martë ku prezantoi “Paketën e Maleve” te banorët e zonës.

Kreu i qeverisë iu referua aksionit të qeverisë një viti më parë ku u shembën shtëpi dhe biznese me pretendimin se ishte cenuar zona e mbrojtur.

Rama mbrojti aksionin e shembjeve, duke shtuar se pas vizitës së tij në fshatin malor, para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, kishin “shpërthyer” ndërtimet pa leje, duke zënë edhe atë që ai e quajti “kartolina botërore”, Kishën me lëndinën në qendër të fshatit.

Edi Rama: I kemi qëndruar pikë për pikë, kjo është ajo që unë kam thënë, do të legalizohen ata që ekzistojnë. Ajo që ndodhi, dhe ju e dini shumë mirë, është se pas vizitës time, shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme këtu a thua se u mor leja dhe o burra. U arrit të goditej zemra e Thethit, kartolina botërore. Po të shkosh të shkruash Theth në të gjitha gjuhët e botës në Google, pamja e parë është Kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina u zaptua, u vunë me shpejtësi disa shtëpi druri, u rrethua, u shtrua me zhavor dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit. Si mund të lejonim ne këto? Pasi erdhëm këtu për të kremtuar gjithë heroizmin…është heroizëm real ai që keni bërë ju deri përpara kur ne filluam t’ju vijmë në ndihmë, kur u bëtë me qeveri, se s’keni patur qeveri, as rrugë, as drita, as komunikim… muaj të tërë e dini vetë më mirë se unë. kush rrinte këtu në dimër nuk kishte shans të dilte dhe as të priste njeri, larg qoftë kur të binte një hall i madh në shtëpi, sëmundje etj. Ne erdhëm dhe thamë do ta çojmë në një nivel tjetër zhvillimin, do të rrisim cilësinë me sistem, me leje, me projekte cilësore, jo hajde e ndërto, siç po bëjmë me të 11-të aplikantët dhe të tjerë që kanë ardhur dhe janë interesuar, kanë marrë arkitektë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb