Delegacionet nga Kosova dhe Serbia po zhvillojnë sot në Bruksel takimin e radhës, me lehtësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Përmes rrjetit social “Facebook”, kryesuesi i palës nga Kosova, Avni Arifi ka prezantuar delegacionin nga Prishtina.

Dialogu, në nivelin teknik, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë më 16 janar, nga delegacioni i Serbisë, pas vrasjes, në rrethana ende të pasqaruara, të njërit prej përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

Siç është paralajmëruar, në këtë takim, delegacionet e të dyja vendeve do të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, shkruan rel.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë janë arritur një numër i konsiderueshme i marrëveshjeve, por disa nga to ende nuk janë zbatuar.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohen edhe në nivelin politik, qoftë në nivel të kryeministrave apo presidentëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb