TIRANE- Edhe pas vdekjes së Elton Çiços për familjarët e tij duket se nuk ka paqe. “BalkanWeb” mëson se banesa e tij në Tepelenë është sulmuar gjatë orëve të vona të natës.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se tre persona të armatosur e të maskuar kanë hyrë mbrëmë në oborrin e shtëpisë së prindërve të tij, duke kapërcyer murin rrethues.

Duke qënë se kanë shkaktuar zhurmë gjatë kësaj kohe, ata janë diktuar nga familjarët.

Burimie policore bëjnë me dije se shtëpia e familjarëve të Çiços survejohej nga të katra anët me kamera sigurie dhe se hajdutët të zënë në befasi kanë mundur të marrin nga shtëpia vetëm serverin e kamerave të sigurisë.

Pasi pikasën hajdutët familjarët njoftuan menjëherë policinë e Tepelenës, të cilët kanë kqyrur të gjitha ambIentet dhe kanë konstatuar se ishte marrë vetëm serveri i kamerave të sigurisë, me qëllim që të mos mbetej asnjë imazh i personave që kishin hyrë në banesën e familjes Çiço.

EKZEKUTIMI I ÇIÇOS
Çiço u ekzekutua brenda Bar “De Niros” më 1 maj të vitit të shkuar, vetëm pak minuta pasi ishte ulur në një tavolinë me dy miqtë e tij, njëri oficer policie, tjetri mjek, dhe në praninë e një gazetari të kronikës. Sikundër u konstatua edhe nga pamjet filmike të kamerës së sigurisë brenda lokalit, atentatori trup mesatar ishte i mirinformuar për objektivin, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi. Autori i vrasjes është Jani Aliaj, i cili u ndihmua nga Renato Milloshi.

SI NISI HAKMARRJA ÇIÇO-ALIAJ
Hakmarrje për shkak të konflikteve të kahershme mes tyre. Kjo ishte pista kryesore e vrasjes së Elton Çiços. Konfliktet mes Çiços e Aliajt ishin hapur prej vitsh dhe zanafillën e kanë në Greqi, për çështjet e pazareve të drogës.

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, herë pas here ka pasur tentativa për të eliminuar njëri-tjetrin, por që kanë rezultuar të dështuara.

Mësohet se Elton Çiço dhe Jani Alia kanë qenë në të njëjtin burg në Greqi, ku Aliaj ka qenë i dënuar me 18 vite burg për vrasje, por ka kryer vetëm 10 vite pasi është arratisur, ndërsa Çiço ishte dënuar për drogë. Pas një sherri mes tyre Çiço e plagosi me thikë Jani Aliajn, duke bërë që konflikti të vijojë.

Tentativa e parë
Ja si ndodhi sipas njoftimit të policisë, atentati i parë ndaj Jani Aliajt në Tiranë:
“Më datë 10.01.2015, në rrugën e “Kavajës”, kanë qëlluar disa herë më armë zjarri. Nga të shtënat është thyer një xham i vetratës së një lokali bar kafe dhe është dëmtuar lehtë shtetasi A.Q., 27 vjeç, banues në fshatin Lalar, Fier, i cili ka qenë rastësisht në lokal.

Në vendngjarje me cilësinë e provës materiale, u gjetën e u sekuestruan 6 gëzhoja fisheku dhe 3 predha plumbi. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorëve. Nenet 274, 278, 150 dhe 90 të Kodit Penal”.

Tentativa e dytë
Kjo është tentativa e dytë që iu bë në Gjirokastër, sipas njoftimit të policisë:
“Më datë 25.04.2016, u referua materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pasi më datë 24.04.2016, rreth orës 22:30, në rrugën Ura e lumit – lagjja “Punëtore”, nga një mjet i paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Volksvagen Polo”, me drejtues shtetasin S.M., e pasagjer J.A., 43 vjeç e 39, banues në Tepelenë, për pasojë është plagosur lehtë J.A. Punohet për gjetjen e mjetit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nenet 76, 22 e 278 të Kodit Penal. Komisariati i Policisë Tepelenë”

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb