Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar për shkatërrimin e rrugës Librazhd-Prrenjas, që shkaktoi edhe izolimin e juglindjes.

Nëpërmjet një mesazhi në Facebook, Blushi thotë se kryeministri Edi Rama shfaqet në daljet e tij dhe broçkollit marrëzira dhe nuk merret me hallin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë.

Mesazhi i plotë:

Halli i Edi Ramës dhe i Belinda Ballukut nuk është halli i shqiptarëve.

Halli i vërtetë i shqiptarëve është se një e treta e vendit vijon të jetë e bllokuar prej gjashtë ditësh.

Teksa Juglindja mbetet e izoluar, Edi Rama shfaqet në ekran për minuta të tëra duke broçkullisur marrëzira dhe duke u shqetësuar publikisht që Belinda të mos arrestohet.

Në vend të përqendrojë çdo sekondë për të zgjidhur hallin jetik të 1/3 së Shqipërisë, që ende nuk e di kur do hapet rruga, Edi Rama zgjedh, për minuta të tëra, të ndërtojë alibinë për t’i zgjidhur hallin vetes dhe Belindën.

Ndërsa autoambulancat me të sëmurë, nga Korça drejt Tiranës, lëvizin nëpër shtigje të thepisura dhe qytetarët po paguajnë më shtrenjtë biletat, Edi Rama pas fluturimit me helikopter, zgjodhi sot të fluturojë me presh.

E vetmja rrugë, më e shkurtër, më e shpejtë dhe më e sigurt për të shpëtuar nga kjo e keqe është shembja dhe bërja copë e thërrime të këtij regjimi, njësoj si asfalti i shkërmoqur që na la trashëgim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb