Në pritje të pashkëve, Dioqeza e Sapës organizoi ritualin e Udhës së Kryqit, ku besimtarët katolik përshkuan 14 ndalesa lutjeje dhe reflektimi, që përkujton vuajtjet e Krishtit deri në kryqëzim.
Rituali u udhëhoq nga kreu aktual i Dioqezës së Sapës, Patër Mariano Tarantino, i cili tha se ashtu siç kryqi rëndoi mbi Jezusin, ashtu edhe shumë fenomene sociale rëndojnë mbi shqiptarët, duke u ndalur tek emigracioni, një plagë që ka shpopulluar zona të tëra në Shqipëri.
Në këtë ritual të shenjtë, Patër Mariano fton besimtarët që të mos e humbin shpresën dhe besimin në Zot, si një mënyrë për të kapërcyer më lehtë sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen.
Udha e Kryqit i paraprin javës së madhe të Pashkës, që simbolizon ringjalljen si shpresë dhe reflektim, për këtë botë të trazuar.
