Krishti u Ngjall! Me thënien që shoqëron festën e Pashkës, besimtarët ortodoksë pritën në mesnatë Ngjalljen e Krishtit, në liturgjinë e shenjtë drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturi Joani.
Në mesazhin e tij dhënë për besimtarët që mbushën sheshin përpara katedrales “Ngjallja e Krishitit” në Tiranë, krypeshkopi Joan u ndal te vatrat e luftës në botë, duke theksuar se në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”.
Besimtarët ndezën qirinjtë nga flaka e shenjtë në kishë, sepse vetëm përmes ndriçimit të zemrave mund të arrijnë paqen dhe mirësinë në Krishtin.
Rituale për kremtimin e Pashkës Ortodokse janë mbajtur përgjatë gjithë Javës së Madhe, ku ditën e enjte besimtarët lyejnë vezët me bojë të kuqe, simbol i përtëritjes së jetës dhe mbizotërimit të saj ndaj vdekjes. Po ashtu, të enjten besimtarët blenë edhe një enë prej balte, simbol i përbashkimit të njeriut me Zotin.
Një ditë më pas, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan të Premten e Zezë, ditë që përkujton vdekjen e Krishtit në kryq. E premtja shoqërohet me daljen e epitafit nga kisha dhe kryerjen e procesionit në sheshet kryesore të qyteteve.
Të shtunën besimtarët ndoqën meshën e shenjtë në mesnatë, që kulmoi me Ngjalljen e Krishit, ndërsa të dielën shtrohet dreka tradicionale në familje.
Pashka është data më e rëndësishme në kalendarin kristian, festë që simbolizon gjallërimin e natyrës dhe jetës.
