Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbyllur protestën e radhës së opozitës përmes së cilës kërkohet dorëheqja e Edi Ramës dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO, ndërsa SPAK vijon hetimet për shkelje të barazisë në tendera.
Berisha tha se sot shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD, parti e themeluar nga studentët e dhjetorit, parti e idealeve të dhjetorit.
“Edi Rama vjen në këtë dhjetor armik i egër i çështjes kombëtare, armiku më i egër i rinisë shqiptare, përzuri 70% të të rinjve nga vendi. Tani pasi është kapur vjedhës i dhjetëra milionëve, përpiqet të mbrojë vjedhjen e ministrave të tij”, u shpreh Berisha.
Më tej ai tha se misioni i PD, është shpëtimi i kombit.
“Ky mision ka të bëjë me shpëtimin apo shuarjen e kombit tonë. Ky mision ka të bëjë me shpëtimin apo shkatërrimin e familjes tonë. Ky mision ka të bëjë me zhvillimin apo rrënimin e Shqipërisë. Ky mision ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve apo zhdukjen e tyre. Midis të gjitha këtyre, çdo demokrat, çdo opozitar, çdo shqiptar zgjedh të ngrihet në lartësinë e idealeve të dhjetorit. Koha nuk pret”, tha Berisha.
“Çdo orë, çdo ditë që shkon jemi të vonuar. Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, ky shesh, kombi pret nga ne të mos e lëshojmë, ta zëmë njëherë e mirë, ta mbajmë gjer në fitore. Edi Rama, armik i egër i lirive të shqiptarëve. Edi Rama vjen në këtë dhjetor si hajduti më i madh i kombit në të gjitha kohërat. Edi Rama vjen në këtë dhjetor si armik i egër i çështjes kombëtare dhe interesit të shqiptarëve. Por mbi të gjitha vjen në këtë dhjetor si armiku më i egër i rinisë shqiptare, i të rinjve shqiptarë. Përzuri në 10 vite, 70 përqind të të rinjve nga vendi.
Rrënoi shkollat. Rrënoi të ardhmen e tyre. Të rinjtë shqiptarë sot kanë si alternativë të vetme largimin, largimin dhe vetëm largimin nga Shqipëria. Miq, të gjitha këto janë apel, janë kushtrim të përballemi me këtë të keqe të madhe. Të përballemi me çdo çmim, të përballemi me çdo kusht, të përballemi për dinjitetin tonë, të përballemi për të ardhmen tonë, të përballemi për vendin tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë. Ky është borxhi ynë, kjo është detyra jonë. Ne do e përmbushim atë”.
