Koncerti i reperit amerikan Kanye West ka shkaktuar polemika edhe në Kazakistan, këtë herë duke ndikuar drejtpërdrejt në kalendarin sportiv.
Në Shqipëri krijoi polemika të forta me vendimin e qeverisë për t’i dhënë 4,2 milionë euro këngëtarit për të zhvilluar koncertin në vendin tonë, ndërsa në vend zhvillohen protesta kundër kryeministrit Rama. Një vendim i tillë shtoi edhe më shumë revoltën. Në Kazakistan, ndoshta po u heq mundësinë që të shohin një skuadër të tyren në këtë vit në Champions.
Skuadra e Kairat Almatit nuk do të mund ta zhvillojë në stadiumin e saj ndeshjen e kthimit të turit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Levski Sofjes.
Klubi kazak, që u mposht 1-0 në takimin e parë në Bullgari, synon përmbysjen për të siguruar një vend në fazën “play-off”, por do të detyrohet ta luajë sfidën në “Turkistan Arena”, rreth 800 kilometra larg Almatit.
Shkak është koncerti i Kanye West, i planifikuar për më 14 gusht në stadiumin e Kairatit. Përgatitjet për ngritjen e skenës dhe pajisjeve teknike do ta mbajnë impiantin të mbyllur gjatë gjithë javës, duke e bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjes aty.
Sipas raportimeve, vendimi për organizimin e koncertit është marrë pa u konsultuar me drejtuesit e klubit dhe pa marrë në konsideratë mundësinë që Kairati të vazhdonte rrugëtimin në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Si pasojë, skuadra kazake do të humbasë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve të saj në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
