Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo ka komentuar debatet e fundit brenda Partia Socialiste, përfshirë përplasjet publike dhe kritikat ndaj drejtimit të saj, ku kryefjalë janë ‘shpërthimet’ e Elisa Spiropalit ndaj kryeministrtit Rama.
I ftuar në “Programin e Drekës” në News24 me Ola Brukon, Milo u ndal te transformimi që, sipas tij, ka pësuar PS gjatë viteve të drejtimit nga Edi Rama.
Ai theksoi se që nga viti 2005, partia ka hyrë në një fazë të re, ku strukturat dhe forumet e saj kanë humbur rolin real në vendimmarrje. Sipas tij, mënyra e organizimit ka krijuar një model ku pushteti është i centralizuar dhe ku kryetari ka ndikimin kryesor në çdo hallkë të partisë dhe qeverisjes.
Në analizën e tij, Milo vuri në dukje se kjo situatë ka sjellë pakënaqësi dhe debate të brendshme, pasi është zbehur koncepti i demokracisë së brendshme, që duhet të jetë themeli i çdo force politike. Ai pohoi gjithashtu se përgjegjësia për këtë situatë nuk i takon vetëm kryetarit të partisë, por edhe drejtuesve të tjerë. Milo shtoi se zërat kritikë që po dëgjohen sot, përfshirë figura si Elisa Spiropali dhe të tjerë, nuk janë një fenomen i ri, por reflektim i problemeve të hershme brenda partisë, të cilat sipas tij vetëm tani po dalin më hapur në sipërfaqe.
“Kjo është histori më vete që ka një të kaluar. PS është transformuar gjatë lidershipit të zotit Rama. Që nga 2005 e deri tani, është një epokë e tërë. Lidershipi i PS, ose institucionet e saj janë rrudhur, nuk kanë ndonjë rol qendror në vendimmarrje, është dukshëm e shfaqur, por kanë rol periferik. Kanë rol thjesht fasadë. Pushteti absolut që ka zoti Rama brenda PS ka diktuar një politikë të atillë që këto institucione ku anëtarë të veçantë nuk kanë rol ose e kanë minimal. Kjo është mënyrë e dukshme. PS sot portretizohet si ekip politik administrativ i një parti-shtet, që i ka të gjitha hallkat në dorën e saj dhe aty vendos kryetari i partisë. Mund të mos jetë përjashtim, kjo varet. Nuk dua të hy në detaje. Aty është krijuar një mënyrë qeverisjeje dhe administrimi që lë vend për debat, për ankesa sepse ka humbur koncepti bazë i funksionimit të një partie politike që është demokracia e brendshme. Ka shumë që i dëgjoj që përgjegjësinë kryesore ia japin zotit Rama për atë çka po ndodh në PS, por jam pjesërisht dakord me ta. Për mendimin tim sa përgjegjës është zoti Rama për këtë trajektore të PS nga një parti e hapur në një të mbyllur, përgjegjësi kanë dhe ata të tjerët që vinë rrotull tij. Asnjë prej tyre nuk ka pasur as kurajo dhe as mendësi demokratike europiane për të thënë mendimin e tyre. Duke vlerësuar atë çka po ndodh tani në kuptimin e shprehjes së mendimeve dhe vënien e gishtit te plaga e PS, ata i kanë thurur lavde kryetarit të partisë, e kanë mbështetur atë, kanë qenë pjesë e ekipit për të cilat ata ankohen sot. Në momentin kur kanë humbur pozicionin në qeveri apo hierarkinë politike të PS, kanë marrë kurajon të vënë gishtin në plagë. Jo se nuk kanë të drejtë, por këto janë probleme të vjetra në PS dhe nuk janë manifestuar tani. Qoftë për zonjën Spiropali apo dhe Braçen apo dhe zëra të tjerë që nuk flasin publikisht. Duhet vepruar me qetësi dhe të kishte më shumë urtësi dhe më shumë kolegjialitet dhe të korrigjohet sa nuk është vonë. Po nisi një lëmsh të shthuret, se ndalon dot.”, tha ai.
