Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, i kërkon opozitës të propozojë një amendament për pezullimin e përkohshëm të taksave mbi karburantin, si një detyrim ndaj qytetarëve që sot paguajnë naftën më shtrenjtë se pothuaj çdo europian tjetër.

“Kjo do të ishte një hap i domosdoshëm për të lehtësuar barrën mbi familjet shqiptare dhe për të treguar se ka alternativa ndaj një sistemi që rëndon çdo ditë mbi xhepat e qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, mbetet një arsye më shumë për të intensifikuar reagimin qytetar dhe protestën demokratike, si mënyra e vetme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj situate e cila, për fat të keq, nuk lidhet vetëm me naftën”, shkruan në një mesazh në rrjetin social facebook, Grigels Muçollari.

Sipas tij, Shqipëria sot ka një nga karburantet më të shtrenjta në Europë në raport me të ardhurat. Një litër naftë përfaqëson rreth 7.2% të të ardhurave ditore të një qytetari, shumë më tepër se në vendet e rajonit dhe disa herë më shumë se në vendet e Bashkimit Europian.

Mesazhi i plotë

Korrupsioni qeveritar dhe çmimi i lartë i naftës.

Shqipëria sot ka një nga karburantet më të shtrenjta në Europë në raport me të ardhurat. Një litër naftë përfaqëson rreth 7.2% të të ardhurave ditore të një qytetari, shumë më tepër se në vendet e rajonit dhe disa herë më shumë se në vendet e Bashkimit Europian.

Arsyeja kryesore nuk është tregu ndërkombëtar, por politika fiskale e qeverisë. Rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksa: akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH. Pra, shumica e çmimit që paguajnë qytetarët është rezultat i drejtpërdrejtë i vendimeve të qeverisë.

Këto taksa të larta nuk mbahen për arsye ekonomike, por sepse buxheti i shtetit është bërë gjithnjë e më shumë i varur nga këto të ardhura. Ato përdoren për të financuar një sistem shpenzimesh publike të mbushur me tendera dhe projekte që, shumë shpesh, rezultojnë në kosto të fryra dhe korrupsion.

Prandaj qeveria nuk ndërhyn për uljen e taksave mbi karburantin, edhe në situata të jashtëzakonshme ndërkombëtare që rrisin çmimin e naftës. Ulja e akcizës do të ulte menjëherë çmimin për qytetarët, por do të reduktonte edhe fondet që ushqejnë këtë sistem.

Në këtë mënyrë, korrupsioni qeveritar nuk është vetëm pasojë e sistemit ekonomik, por një nga arsyet pse karburanti në Shqipëri mbetet kaq i shtrenjtë.

Zgjidhja është e qartë: ulje e taksave mbi karburantin dhe përdorim transparent i parave publike, në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë çdo ditë në pompë koston e një sistemi të kapur nga korrupsioni.

Por edhe optimisti më i madh e ka të qartë se kjo nuk ndodh me këtë qeveri. Ajo që mund dhe duhet të bëjë opozita është të propozojë një amendament për pezullimin e përkohshëm të taksave mbi karburantin, si një detyrim ndaj qytetarëve që sot paguajnë naftën më shtrenjtë se pothuaj çdo europian tjetër.

Kjo do të ishte një hap i domosdoshëm për të lehtësuar barrën mbi familjet shqiptare dhe për të treguar se ka alternativa ndaj një sistemi që rëndon çdo ditë mbi xhepat e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, mbetet një arsye më shumë për të intensifikuar reagimin qytetar dhe protestën demokratike, si mënyra e vetme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj situate e cila, për fat të keq, nuk lidhet vetëm me naftën!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb