Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, në fjalën e tij pas përfundimit të raportimit KLP, tha se një Kod i ri Penal është i parakohshëm.

“Nuk është një ligj çfarëdo, është një nga ligjet më komplekse që mbart pasoja shumëvjeçare për vendin.
Duke qenë në këto rrethana mendoj se nuk ka nxitim për një Kod të Ri penal. Sfidat për drejtësinë sot janë plotësimi i vakacave.

Kur të arrihet një normalitet atëherë mund të flitet për Kod të ri Penal. Mendo që t’u kërkosh sot zbatimin e Kodit të ri prokurorëve dhe gjyqtarëve në kushtet e mbingarkesës. Mendoj se është e parakohshme”, tha ai.

Çela foli edhe për luftën ndaj pastrimit të parave.

“Dolëm nga lista gri e pastrimit të parave. Çështja është trajtuar seriozisht dhe me prioritet dhe ka dhënë rezultatet e para.
Kjo është një sfidë permanente”, tha ai.

Teksa raportoi në KLP mbi punën e një viti të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela u ndal te hartimi i kodit të ri penal. Ai u pyet nga anëtarët e KLP për faktin se cili ishte roli i tij për Kodin e ri Penal.

Tartar Baze: Cili është roli juaj në hartimin e kodit të ri penal?

Çela: Prokurori i Përgjithshëm nuk është përfshirë në hartimin e Kodit. Ne na është kërkuar opinion në fazën e dytë të hartimit të Kodit, opinion që i është kërkuar edhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
Hartimi i Kodit Penal dhe atij civil janë procese që duhen marrë shumë seriozisht, që në momentin që konceptohen. Së pari, duhet shtruar çështja, pse lindi nevoja për një kod të ri penal dhe kodi në fuqi, a i përgjigjet fenomeneve kriminale. Bindja ime është, që kodi penal, i ndryshuar disa herë, i përgjigjet situatës aktuale. Atëherë, pse duhet një kod i ri, cila është fryma, filozofia?
Në mungesë të një analize të nevojës së një kodi të ri penal, unë e kam të vështirë të jap një përgjigje mbi vlerën e projektit të një kodi të ri penal.
Askund nuk kemi në diskutim që na mungon legjislacioni.
Unë nuk mendoj që një kod penal mund të hartohet në një kohë kaq të shkurtër. Unë nuk di se cili nga vendet që ne aspirojmë t’i ngjajnë harton një kod kaq shpejt. Mendoj se duhen trajtuar me shumë përgjegjësi fazat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb