Vetting

Nik Palokaj është një nga banorët autoktonë të Malit Shëngjin në Lezhë dhe së bashku me fisin e tij Palokaj, janë ndër ish-pronarët më të mëdhenj në Lezhë. Por gjithçka për ta ka ngecur pasi një prokurë false, e firmosur nga noterja Zana Dema, ka hedhur në erë planet për investim.

Fisi Palokaj zotëron 101.7 dynym tokë në Malin e Shëngjinit, ndërkohë që 180 dynym në Malin e Rencit janë në Gjykatën e Apelit për kthim dhe kompensim prone. Sipas dokumenteve zyrtare, 101 dynymët Nikollë Palokaj i ka fituar nga Komisioni i Kthimit të Pronave me vendim gjykate të vitit 2005. Historia e Nikës është dramatike, sepse ai, edhe pse është bashkëpronar i tokës me vendim gjykate, prej 18 vitesh nuk merr dot pronën e vet.

Duke vëzhguar këtë sipërfaqe toke, kupton se zona nuk ka potencial vetëm për turizëm apo mundësi për të bërë qendra spitalore për personat me probleme shëndetësore. Largësia nga Porti i Shëngjinit të bën të kuptosh se bllokimi i kësaj prone nuk lidhet vetëm me interesat e disa personave, por mund të kemi bashkërendim të grupeve të interesit deri në bashkëpunim me grupe kriminale. Këto grupe deri më sot kanë treguar se kanë qenë më të fortë për urdhrat ndaj administratës dhe zyrtarëve të drejtësisë, të cilët në vend që t’i kthejnë pronën Palokës, sipas vendimit të gjykatës, vazhdojnë ta sorollasin atë.

Bllokimi i kësaj prone të bën të dyshosh se në prapaskenë për pronat e Lezhës zhvillohet lufta për territorin e portit, i cili jo shumë larg nga sot do të ketë rëndësi më të madhe strategjike për shkak të investimeve. Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, ky proces është bllokuar nga një sërë institucionesh publike, duke filluar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, Prokuroria dhe Gjykata.

Të gjithë këto, mbështetur nga një pjesë e politikës, kanë bllokuar prej 18 vitesh një pasuri të fisit Palokaj që shkon 6-7 milionë euro. Kryetari i shoqatës pronësi në drejtësi Myrshit Vorpsi: “Sot kadastra është kthyer në një organizëm që nuk mban përgjegjësi për atë që bën mbi çfarë.”

Por çfarë ka ndodhur në rastin e Malit Shëngjin? Në vitin 2005 është hartuar një prokurë false nga noterja Zana Dema në Lezhë së bashku me dy persona të tjerë, të cilët kanë shitur tokën e fisit Palokaj duke falsifikuar firmën e tyre, vepër penale për të cilën noterja dhe bashkëpunëtorët e saj janë dënuar nga Gjykata e Lezhës.

Me anë të vendimit 442/2006, kjo gjykatë i ka shpallur si të pavlefshme veprimet e kryera nga prokurat e falsifikuara dhe ka urdhëruar ish Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, që të bëjë regjistrimin e pasurisë në emër të të gjithë ish pronarëve. Madje, në transaksionet me prokurën e falsifikuar ka indicie për evazion fiskal, pasi sipërfaqja prej 101 mijë metro katrorësh është blerë me vlerë totale 2 milionë e 500 mijë lekë, një shifër shumë e ulët përsa i përket vlerës së tokës në atë kohë. Denoncuesi Nik Palokaj ka kërkuar nga ish Zyra e Regjistrimit të Pasurive regjistrimin e pronës, por ASHK-ja ka dalë mbi vendimin e gjykatës duke deklaruar se transaksionet mbi pronën janë realizuar përpara vendimit të Gjykatës Lezhës në 2006.

Sipas përgjigjes në vitin 2016, ish Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurave të Paluajtshme ka deklaruar se vendimi 442 i vitit 2006 është i pavlefshëm pasi prona është tjetërsuar te palë të treta. Gjithashtu ish-zyra Qendrore asokohe deklaronte se vendimi nuk sillte asnjë pasojë juridike dhe në vendimin e Gjykatës nuk është marrë parasysh interesi i palëve të treta. Pra, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bllokuar transaksionet duke pretenduar se mund të interpretojë vendimin e Gjykatës Lezhë.

Për “Vetting”, Palokaj pohon se mori një përmbarues privat për të rimarrë pronën e tij, por kjo nuk ndryshoi asgjë sepse e njëjta përgjigje vinte nga ish Zyra e Regjistrimit. Në disa raste, përmbaruesi privat i ka vendosur gjobë drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit Lezhë, Bledar Mulaj me vlerë 50 mijë lekë. Nika rrëfen se e ka pasur të pamundur të bëjë regjistrimin e pronave dhe nuk ka lënë institucion publik pa iu drejtuar, por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar.

“Vetting” i ka drejtuar disa herë kërkesë për informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë dhe ka vendosur në dijeni ASHK-në Qendrore për arsyet se pse nuk zbatohet vendimi 442/2006 i Gjykatës Lezhë, por në të dyja rastet nuk ka pasur asnjë ndryshim për regjistrimin e pronave. Më 1 tetor 2024, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli, ka deleguar kërkesën e “Vetting” te Kadastra Lezhë, ku evidentohet denoncimi nga Nik Palokaj.

Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Drejtoresha Goxhobelli deklaron se ia ka kaluar trajtimin e kësaj kërkese dhe denoncimin e banorit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë, e cila duhet ta trajtojë sipas akteve ligjore në fuqi. Pas disa kërkesash nga Vetting, Kadastra Lezhë dërgoi dy dokumente zyrtare që lidheshin me pronën e fisit Palokaj, ku janë marrë dy urdhra vendimesh nga ASHK-ja Lezhë.

Sipas kryeregjistruesit Ndue Vathi për urdhrin e vitit 2010 dhe kryeregjistruesit Arben Qirjako për urdhrin e vitit 2011, në të dyja rastet refuzohet vendimi i regjistrimi i pronës së fisit Palokaj pasi ekziston një udhëzim nr 1, datë 31.01.2007 i Këshillit të Ministrave të qeverisë Berisha asokohe, i cili i pengon të regjistrojë këto prona. Por se çfarë e pengon sot ASHK-në Lezhë të regjistrojë pronën e Nik Palokaj ngelet e paqartë dhe kjo pyetje ka ngelur pa përgjigje nga Drejtori Altin Gjergji, i cili vazhdon të sfidojë vendimet e Gjykatës.

Vetting në këtë episod, denoncoi tre raste, ku në qendër të gjykimeve dhe vendimeve gjyqësore është prona. Sikur të mos mjaftonin sorollatja e gjyqtarëve pa shkak për zbardhjen e vendimeve, vihet re që në gjykata të ndryshme, ku zbatohet i njëjti kod penal, por me gjyqtarë të ndryshëm. Për të njëjtat çështje japin vendime gjysmake dhe të ndryshme.

Ndaj do të ishte pikërisht ILD, por edhe institucionet që kanë në hierarki gjykatat, që të kalonin në sitë pikërisht këto vendime, për të qenë unifikues në zbatimin e ligjit nga gjyqtarë apo prokurorë që në të shumtën e rasteve nuk e zbatojnë ligjin.

Por jo vetëm ligji, por edhe Kushtetuta po nëpërkëmbet në shumë raste, specifikisht në nenin 41 dhe 42 të saj, shprehet qartësisht dhe në mënyrë të prerë se: Neni 41 “1. E drejta e pronës private është e garantuar. 2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. Neni 42 Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.

Vendimet e pa zbardhura Në raportimin e kreut të ILD-së, Artur Metani tha se gjatë vitit 2023, institucioni që ai drejton ka trajtuar rreth 6500 ankesa për organet e drejtësisë, të reja dhe të prapambetura. Ankesa janë trajtuar edhe për organet e posaçme të drejtësisë, si SPAK, GJKKO dhe shkalla e dytë e kësaj gjykate. SPAK: 81 ANKESA, 54 JANË TRAJTUAR, 27 NË PROCES. GJKKO: 41 ANKESA, JANË TRAJTUAR 27. APELI GJKKO: 40 ANKESA, 35 TRAJTUAR. GJYKATA E LARTË: 96 ANKESA, 66 TRAJTUAR. KLGJ: 18 ANKESA, 13 TRAJTUAR. KLP: 8 ANKESA, 3 TRAJTUAR.

“Këtë shqetësim e kemi përditë në ILD, kishte disa pasaktësi, unë nuk jam SPAK dhe s’do bëhem asnjëherë, ILD performon me standarde nga këshillat dhe KPA, kontrolli i jashtëm është për gjëra që ligji dhe Kushtetuta i kanë parashikuar, ne s’na impresionon që janë çuar më shumë apo më pak hetime, ne shohim standardin,” tha Metani.

Metani tha se ankesat më të shumta janë për Gjykatën e Tiranës dhe atë Administrative për shkak të vonesave në zbardhjet e vendimeve gjyqësore.

30 vite tranzicion, reforma agrare, ligji 7501, sistemi i dobët gjyqësor dhe mungesa e gjyqtarëve ka sjellë stërgjatjen në kohë të çështjeve dhe vendimeve, ndonjëherë edhe për shkak të burokracive. Më tragjike janë rastet kur individët kanë luftuar dyerve të gjykatës dhe kanë humbur jetën para se të merrnin pronën. Ka raste kur pamundësia ekonomike i ka lënë pa marrë një avokat dhe pa e ndjekur në rrugë gjyqësore. Ka edhe raste si këto që Vetting solli, vendimet janë finalizuar nga gjykata, por nuk zbatohen nga vetë shteti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb