Shqiptarët po konsumojnë patate mjaft cilësore dhe me çmime të lira, një dukuri e pavërejtur për vite me radhë. Aktualisht në tregjet e pakicës në kryeqytet gjen patate shumë cilësore me çmim 60 lekë për kilogram. Një vit më parë në këtë periudhë ishte më shumë se 100 lekë.

Edhe sipas matjeve të INSTAT, çmimi mesatar i një kilogram patate në shkurt 2026 ishte 77.9 lekë për kg ose 22% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ky ndryshim në tregun e patates në vendin tonë po vjen nga rritja e importeve të grupit “Zarzavatet e ngrënshme dhe rrënjët e tuberat përkatëse” nga Gjermania që po diktojnë çmimet e konsumit dhe po vë në vështirësi prodhimin vendas.

Burimet nga tregu pohuan se rritja e importeve të zarzavateve nga Gjermania po diktohet nga patatet. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, sasia e patateve të importuara ka pësuar një rritje me 65.5%, duke arritur në mbi 5 milionë kilogramë, krahasuar me dymujorin 2025.

Ky fluks me çmim importi prej vetëm 49.91 lekë për kilogram ka krijuar një presion të jashtëzakonshëm rënës mbi çmimet e tregut.

Këto zhvillime kanë lehtësuar për buxhetin e familjeve, por prodhimi vendas po konkurrohet nga importi.

Të dhënat zyrtare tregojnë se teksa vlera totale e importeve është rritur, çmimi për njësi i patates gjermane ka rënë sistematikisht nga 67.79 lekë në vitin 2024, nën 50 lekë në vitin 2026, duke e bërë prodhimin vendas pothuajse të paaftë për të konkurruar në aspektin e kostos.

Sipas të dhënave FAOSTAT një shqiptar konsumon mesatarisht rreth 52 kg patate në vit. Ndonëse kjo shifër është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila i kalon 80 kg, patatja mbetet një element bazë i shportës.

Mediat gjermane raportojnë se këtë sezon kishte mbiprodhim. Sipas të dhënave prodhimi i patates në Gjermani për vitin 2025 arriti në rreth 13.9 milionë tonë, një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2024.

Ky konsiderohet si një nga nivelet më të larta të prodhimit në 25 vitet e fundit. Rendimenti ka qenë jashtëzakonisht i lartë, me rreth 46 tonë për hektar, falë kushteve klimatike gati perfekte me shira dhe klime të ngrohtë.

Teprica është aq e madhe sa në disa rajone të Gjermanisë dhe vendeve fqinje Belgjikë, Holandë, çmimet e tregut të hapur ranë në nivele drastike. Në fillim të vitit 2026, u raportua se fermerët gjermanë kishin në depo rreth 1 milion tonë patate tepër pa blerës të sigurt.

Në disa raste, kostoja e mbajtjes në frigorifer ishte më e lartë se vlera e shitjes, duke i detyruar fermerët t’i shpërndanin ato falas për bamirësi ose t’i përdornin për ushqim kafshësh dhe bio-energji ose duke i eksportuar lirë.

Tregtarët gjermanë preferojnë t’i shesin me çmim minimal sesa t’i lënë të kalben ose të paguajnë kosto asgjësimi. Aktualisht, presioni është rritur pasi po afron sezoni i ri i mbjelljeve dhe depot duhen zbrazur me çdo kusht.

Kjo ka bërë që fluksi i patates gjermane drejt Ballkanit dhe Shqipërisë të jetë më i lartë se kurrë, duke krijuar atë konkurrencën e fortë me prodhimin tonë vendas që po vuan nga kostot më të larta të prodhimit dhe mungesa e subvencioneve të ngjashme./ Monitor

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb