TIRANE – Brenda muajit mars do të nisë edhe zbatimi i sistemit të patentës me pikë. Arjan Korpa, drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Standardit dhe Monitorimit pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, jep edhe detajet se si do të funksionojë ky sistem. Sipas tij, tashmë pritet vetëm hyrja në fuqi e akteve nënligjore që përcaktojnë në detaje zbatimin, të cilat tashmë janë gati. Korpa sqaron se DPSHTRR, që do të jetë edhe monitoruesi i sistemit, tashmë ka gati modalitetet dhe mënyrën se si do të veprohet me zbritjen apo fitimin e pikëve. Nga 21 janari i këtij viti kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Rrugor, ku mes të tjerave përfshihet edhe pjesa e patentës me pikë.
Si do të funksionojë ky sistem i ri?
Ndryshimet e Kodit Rrugor, të cilat kanë hyrë në fuqi më 21 janar 2015, ndër të tjera parashikojnë dhe lejen e drejtimit me pikë. Leja e drejtimit me pikë po zbatohet si unifikim i një praktike të tillë me vende të BE­-së. Qëllimi kryesor i lejes së drejtimit me pikë është identifikimi dhe sanksionimi i kundërvajtësve të përsëritur të normave të sjelljes në trafikun rrugor. Mbajtësi i çdo leje drejtimi zotëron fillimisht një sasi prej njëzet (20) pikësh. Kjo sasi pikësh, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave me leje drejtim të mjeteve, do të jetë e publikuar dhe në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit…
Kur nis funksionimin sistemi i ri dhe si do të jetë zinxhiri i vendimmarrjes për heqjen e pikëve në rastet kur konstatohet shkelje?
Zbatimi i aplikimit të lejes së drejtimit me pikë do të hyjë në fuqi brenda muajit mars 2015 me miratimin e aktit nënligjor. Çdo drejtues mjeti mund të
kontrollojë gjendjen e pikëve në lejen e drejtimit të tij në këtë faqe interneti të DPSHTRr­së. Kjo drejtori do të evidentojë çdo zbritje pikësh, në bazë të njoftimeve nga komisioni i organit epror të agjentit verifikues, për shkeljet e normave të sjelljes, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi, në masën e treguar në tabelën e pikëve, draftin e së cilës po publikoni. Zbatimi me korrektësi i kuadrit ligjor për lejen e drejtimit me pikë do të jetë objekt monitorimi i vazhdueshëm nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, së bashku me agjencitë ligjzbatuese, si Policia e Shtetit dhe DPSHTRr.
Ju thoni që brenda marsit do të nisë zbatimi? Si do bëhet penalizmi i
atyre që shkelin apo inkurajimi i atyre që zbatojnë rregullat e
qarkullimit?
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor po përpunon modalitet për verifikimin e gjendjes së pikëve nga çdo drejtues mjeti. Çdo drejtues mjeti, i cili ka 20 pikë, kur nuk bën shkelje për një periudhë prej dy
vjetësh, i shtohet një kredit prej 2 pikësh deri në 10 pikë maksimumi. Kur drejtuesi i mjetit nuk ka 20 pikë për shkelje të mëparshme dhe nuk bën shkelje të normave të sjelljes për një periudhë prej 2 vjetësh, rikthehet gjendja fillestare prej 20 pikësh.
TEST KUSH HUMBET PIKËT APO BËN TRI SHKELJE BRENDA VITIT
Të gjithë ata që për shkak të zbritjes së vazhdueshme të pikëve si rezultat i shkeljes së rregullave të qarkullimit humbasin 20 pikët apo kryejnë tri shkelje me të paktën 5 pikë brenda vitit, do kalojnë në test. Mbajtësi i lejes së drejtimit është i detyruar që të paraqitet pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor për të dhënë provimin teorik. Kthimi i lejes së drejtimit të pezulluar dhe sasisë së 20 pikëve bëhet kur mbajtësi i leje drejtimit fiton provimin e kualifikimit. Pyetjet e provimit të kualifikimit teorik do të jenë me përmbajtje nga kapitulli V i Kodit Rrugor (normat e sjelljes) dhe do të publikohen në faqen zyrtare të internetit të DPSHTRr­së së bashku me përgjigjet respektive. “Provimi teorik i kualifikimit fitohet kur përgjigjet gabim nuk janë më shumë se 10% e sasisë së pyetjeve”, bëhet me dije nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Ajo së cilës duhet t’i druhen të gjithë ata që kanë një automjet është kryerja e shkeljeve të rënda që kanë edhe pasoja që shkojnë përtej heqjes së lejes. Të tilla sipas Ministrisë së Transporteve konsiderohen aksidenti dhe largimi nga vendi i ngjarjes ose drejtimi në gjendje të pirë, shkelje që kalojnë direkt në sanksione si heqja e lejes së drejtimit apo dhe heqja e lirisë së individit. Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të sistemit, të gjithë ata që kanë një leje drejtimi do të kenë 20 pikë dhe po kaq do të kenë edhe ata që marrin një leje drejtimi për herë të parë.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: