Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar mazhorancën për miratimin e projektit për të ashtuquajturin “rijetëzim” të Pallatit të Kongreseve.
Sipas Telitit, pas shembjes së Teatrit Kombëtar dhe transformimeve që kanë prekur hapësira të tjera publike si stadiumet “Selman Stërmasi” dhe “Asllan Rusi”, tashmë radhën e ka një tjetër godinë ikonike, me një projekt që, sipas tij, synon t’i hapë rrugë ndërtimit të kullave dhe grataçelave në zemër të kryeqytetit.
“Mos gënjeni veten me fjalë boshe si zhvillim apo modernizim! Ky ‘rijetëzim’ është thjesht një alibi për të ndërtuar kulla, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të marrin frymë pluhur dhe të vajtojnë për shërbime publike që s’ekzistojnë”, shkruan Teliti.
Ai akuzon këshilltarët e Partisë Socialiste për bashkëpunim të heshtur në “shkatërrimin” e hapësirave publike dhe mungesën e transparencës mbi projektet urbanistike që, sipas tij, nuk shoqërohen me zhvillimin e shërbimeve bazë për qytetarët si çerdhe, shkolla apo qendra shëndetësore.
Teliti e cilëson këtë vendim si një tjetër hap drejt asaj që ai e quan “masakër urbane në emër të zhvillimit”. Ai bën thirrje për më shumë reagim qytetar dhe ndalimin e projekteve që “betonizojnë” historinë dhe hapësirat publike të Tiranës.
(BalkanWeb)
