Ashtu siç paralajmëruan, Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend raportin e përpiluar në Këshillin e Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Në një dalje për mediat, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar, shoqëruar nga 4 anëtarët e tjerë të PD në këtë këshill, tregoi detaje nga raporti në fjalë, ku thuhet se ka prova që tregojnë korrupsionin e kryer nga Belinda Balluku.
Bardhi tha se PD i jep SPAK autorizimin për arrestimin e Ballukut. Ai shtoi mes të tjerash se Balluku i ka shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit.
Deklarata e plotë:
Sëbashku me kolegët e mi të Grupit Parlamentar të PD, sapo kemi dorëzuar në Kuvend, Raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit.
Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro.
Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.
Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria.
Kjo sjellje e Edi Ramës është antikushtetuese, është rrënim i shtetit ligjor, është goditja më e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi dhe pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit dhe për fundin e pandëshkueshmërisë.
Të dashur qytetarë,
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 16.12.2025 është vënë në lëvizje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila me shkresën nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025, ka kërkuar nga Kuvendi: “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, të znj. Belinda BALLUKU, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit.”.
Kjo kërkesë e prokurorisë shoqërohet nga relacioni përkatës i arsyetuar, si dhe me provat e plota të administruara në mbledhjen e Këshillit, me anë të të cilit parashtrohet se Prokuroria në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, ka marrë si të pandehur dhe person nën hetim deputeten Belinda Balluku, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur (11 fakte penale), veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Kërkesa që bazohet në nenet 73, 95, 103 të Kushtetutës, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, është marrë në shqyrtim nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (në vijim Këshilli) në mbledhjet e datave 19.12.2025 dhe 23.02.2026.
Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të cështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë TË VOTOJNË PRO, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:
– “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda BALLUKU”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Në miratimin e këtij Rekomandimi mbajmë në konsideratë sa më poshtë:
Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pika 2 e nenit 73 synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (jo të deputetëve të veçantë) për aq sa ajo mund të cenohet si rezultat i procedimeve penale me sfond politik ndaj deputetëve të veçantë. Në këtë kuptim vlen të theksohet edhe qëndrimi i Komisionit të Venecias, sipas të cilit imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij (imunitetit parlamentar) është mbrojtja e vetë parlamentit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij.
Në këtë kuptim, Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrimin dhe ka krijuar standardin, sipas të cilit duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht dhe se paprekshmëria e tij duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye për të dyshuar se në vendimin për ndjekjen penalisht të deputetit ka element partiako-politik. Për këtë arsye, ushtrimi i përgjegjësisë kushtetuese nga ana e Kuvendit, për të dhënë autorizimin me të cilin zyrtari publik zhvishet nga paprekshmëria, duhet të synojë vetëm mbrojtjen e veprimtarisë normale parlamentare dhe verifikimit nëse akuza është e motivuar politikisht.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, që u frymëzuan nga nevoja për të intensifikuar luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, reformuan thelbësisht konceptin e imunitetit parlamentar. Rregullat e reja kushtetuese kanë tentuar të afrojnë zyrtarin e lartë shtetëror me qytetarin e zakonshëm në raport me përgjegjësinë penale dhe përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Një ndryshim i tillë, erdhi si nevojë, jo vetëm e një orientimi politik qeverisës në vitin 2012, por edhe si një detyrim për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave përmendim “Konventa penale kundër korrupsionit” e GRECO-s.
Në këtë pikëpamje, Kuvendi verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë. Imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë. Nëse pranohet e kundërta, atëherë ҁdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore.
Nëse Kuvendi shqyrton nevojën apo jo të kryerjes së një veprimi konkret hetimor nga ana e organeve të drejtësisë, atëherë demokracia përballet me një rrezik flagrant: rrënohet parimi i ndarjes së pushteteve i sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës. Jo vetëm kaq, por situata shthuret dhe passjell një tërësi pasojash, që dëmtojnë pa kthim parimet e drejtësisë dhe të shtetit, ku sundon ligji. Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.
Ne deputetët e pakicës parlamentare në Këshill, mbajmë në konsideratë edhe standardin e vendosur nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit: “organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme.”. Në përputhje me këtë standard, Kuvendi nuk ka kompetencë për të vlerësuar meritën e cështjes për caktimin e masës së sigurimit, llojit të saj apo kushteve për secilën masë, por ka rol vetëm në verifikimin e ekzistencës formale të përmbushjes së këtyre kushteve. Në të kundërtën ai do të bënte shqyrtim ligjor të cështjes, jashtë kompetencës së tij kushtetuese dhe në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve.
Kuvendi, duke mos qenë organ kompetent sipas Kushtetutës përgjegjës për hetimin penal, nuk mund të cmojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit për të mbrojtur hetimet, apo të veprimeve konkrete që duhet të ndërmarrë prokuroria që hetimi të jetë i plotë dhe i pacenuar. Kjo është një kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor. Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetin gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal.
Në rastin në shqyrtim Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi, sepse nuk është kompetencë e tij caktimi i masës së sigurimit. Kuvendit i është kërkuar autorizim nga Prokuroria, që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit. Ashtu sikurse edhe pika 3 e nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale sanksionon: “3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen, gjykata, me kërkesë të prokurorit, mund të vendosë zëvendësimin e saj me një masë më të rëndë ose caktimin e një mase sigurimi shtrënguese ose ndaluese shtesë”, është kompetencë kushtetuese dhe ligjore e Gjykatës, që me kërkesë të prokurorisë, të vendos për zëvendësimin ose jo të masës së sigurimit.
Caktimi i masës më të përshtatshme të sigurimit dhe për pasojë vlerësimin kushtetuese/ligjor për këtë, është brenda sferës ekskluzive të Gjykatës. Vendimmarrja e Gjykatës i nënshtrohet kontrollit të brendshëm nga vetë sistemi gjyqësor, fillimisht në Gjykatën e Shkallës së Parë në mënyrë periodike, më pas nga Gjykata Apelit, Gjykata e Lartë apo Gjykata Kushtetuese. Nëse Kuvendi do të mbante qëndrimin që ska nevojë për një veprim të caktuar në kuadër të një hetimi penal (caktimi i një mase më të rëndë sigurimi personal për të mbrojtur të pa cenuar hetimin), ndërkohë që organi i ngarkuar nga Kushtetuta për të ushtruar ndjekjen penale – Prokuroria – cmon dhe vërteton të kundërtën, atëherë Kuvendi në mënyrë antikushtetuese do të uzurponte kompetencat e organit të hetimit dhe pushtetit gjyqësor, duke i njohur vetes atributin e caktimit të masave të sigurimit. Kjo do të ishte një ndërhyrje brutale në sferën e kompetencave të pushtetit gjyqësor dhe për pasojë cenim flagrant i nenit 7 të Kushtetutës – parimit të ndarjes dhe të balancimit midis pushteteve.
Në përputhje të sa më lart, Kuvendi, në këtë lloj procedure, ka autoritet kushtetues të verifikojë VETËM:
(1) Ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm dhe mungesën e motiveve politike në hetimin penal të cështjes;
(2) Ekzistencën e kushteve ligjore për autorizimin e veprimit të kërkuar nga prokuroria;
(3) Plotësimin nga ana përmbajtësore të disa kritere të elaboruara nga Komisioni i Venecias.
Në përfundim të këtij verifikimi, rezulton në mënyrë të përmbledhur se:
1. Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe se në rastin konkret jemi përpara prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë pretendim apo arsye të besohet se akuzat kundër deputetes Balluku janë të motivuara politikisht. Madje edhe vetë ajo, përmes avokatëve të saj, e konfirmon një fakt të tillë.
2. Provohet “dyshimi i arsyeshëm” i bazuar në prova. Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshme dhe ai bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.
3. Provohet rreziku për procedimin penal. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës pubike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal.
Për më tepër, gjatë mbledhjes së Këshillit të datës 23.02.2026, prokurorët sqaruan më tej këtë rrezik, duke theksuar dhe paraqitur provat përkatëse se deputetja Belinda Balluku është përpjekur të ushtrojë presion mbi dëshmitarët, përmes dy formave: (1) Përmes “të fortëve”, për të cilët prokuroria deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor; (2) përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive dhe avokatit.
4. Provohet nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar. Prokuroria, në kërkesën e saj dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit, tregoi qartë se cdo masë tjetër, vec asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të personalitetit kriminal të deputetes Belinda Balluku. Në këtë drejtim, duhet të evidentohet se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, për shkak të përsëritjes në vazhdimësi të të njëjtës vepër penale, duke dëmtuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku. Është fakt që prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputeti Belinda Balluku është marrë i pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Më pas, ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal – Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku prokuroria dhe gjykata, në respekt të parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit personal, kanë kërkuar dhe caktuar një masë të lehtë të sigurimit personal, atë të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe të masës ndaluese të “Pezullimit të ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”, e cila ka mbetur e pazbatueshme për shkak të shkarkimit të saj nga detyra. Më pas, në ngarkim të deputetit Belinda Balluku janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie të mjaftueshme për 3 fakte të tjera penale, dhe kjo ka diktuar nevojën e prokurorisë për të kërkuar autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për të lejuar paraqitjen në gjykatë të kërkesës për caktimin e masës “arrest në burg” apo “arret në shtëpi”. Për më tepër, mos kryerja e veprimit mund t’i japë mundësi të pandehurës që të dëmtojë hetimet dhe të pengojë drejtësinë. Është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatës që më pas të vlerësojnë në mënyrë periodike vijimin ose jo të nevojave që diktojnë kryerjen e një veprimi të caktuar në mbrojtje të hetimeve.
5. Provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetin. Deputeti Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, nuk ngriti asnjë pretendim se ndodhemi përpara ndonjë prej kritereve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias për mbajtjen e imunitetit dhe konkretisht: kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara; kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik; kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake (fumus persecutionis) me qëllim shqetësimin ose intimidimin e deputetit ose ndikimin tek mandati i tij; kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh.
Në mungesë të këtij pretendimi, Kuvendi nuk mund të dalë jashtë vlerësimit të këtyre kritereve dhe është i detyruar të votojë pro heqjes së imunitetit, për shkak se provohet që përmbushen kriteret e Komisionit të Venecias për heqjen e imunitetit si më poshtë:
(i) Heqja e imunitetit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit;
(ii) kërkesa për dhënie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e Prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta;
(iii) Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) është veçanërisht e rëndë, për shkak se ajo është e përsëritur në 11 fakte penale, me një dëm të konsiderueshëm financiar dhe për një fond publik me vlerë jashtëzakonisht të lartë – 1.1 miliard euro;
(iv) Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentare;
(v) Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë, e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë;
(vi) Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera, për shkak se shkelet pa asnjë motiv ligjor parimi kushtetutes i barazisë përpara ligjit dhe parimi i ndarjes e balancimit mes pushteteve.
6. Provohet përmbushja e të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore të caktimit të masave të sigurisë, të parashikuara nga nenet 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Pocedurës Penale. Konkretisht:
i. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 1, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.”. Dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në të paktën 11 fakte penale ekziston dhe ai është i bazuar në prova (80 prova) që prokuroria i ka paraqitur në mënyrë shteruese në Kuvend.
ii. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 2, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie të shuarjes së veprës penale ose dënimit.”. Në rastin konkret nuk ka shkaqe padënueshmërie dhe të shurjes së veprës penale apo të dënimit sipas legjislacionit në fuqi.
iii. Deputeti Belinda Balluku përmbush të gjitha kushtet për caktimin e masve të sigurimit penal, të parashikuara në pikën 3, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale sepse: a) prokuroria provoi se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti; b) ekziston rreziku që ajo të largohet, për shkak se rrezikon një dënim të rëndë për një krim të rëndë; c) për shkak të rrethanave të faktit (përsëritjes së krimit) dhe personalitetit të të pandehurit (dyshohet për kryerjen e veprave penale në 11 raste) ka rrezik që ajo të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet (tentativa për pengimin e drejtësisë përmes intimidimit të dëshmitarëve tashmë ka ndodhur dhe po hetohet nga prokuroria).
iv. Në kërkesën për autorizim prokuroria ka argumentuar se në kërkesat e saj për caktimin e masave të sigurimit ka mbajtur parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret, duke përmbushur kështu kushtin e përcaktuar në pikën 1, të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale. Është fakt që prokuroria dhe gjykata kanë respektuar deri më tani parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit perosnal. Në këtë mënyrë, Prokuroria përmes veprimeve konkrete të përshkallëzuara, ka respektuar kërkesat e pikës 2 të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penal, sipas të cilës “2. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.”. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” me ato të “Arrestit në burg” apo “Arrestit në shtëpi”, ka ndodhur kur rëndësia e faktit penal është rritur (nga 2 fakte penale, tashmë është nën hetim për 11 fakte penale – nga të cilat për një ka statusin e të pandehurit, 7 ka statusin e personit nën hetim, ndërsa për 3 të tjera ende nuk ka një status të konfirmuar procedural, por veprimet/mosveprimet janë në proces hetimi paraprak); sanksioni për dënimin e mundshëm ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet; është vërtetuar vazhdimësia dhe përsëritja, si dhe ekzistenca e rrethanave rënduese të parashikuara nga Kodi Penal (veprat penale dyshohen se janë kryer në bashkëpunim).
v. Është mbajtur në konsideratë kushti i parashikuar në pikën 1, të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “1. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.”. Është fakt që prokuroria ka vepruar në mënyrë të përshkallëzuar. Kur nevojat e sigurimit e kanë mundësuar dhe është vlerësuar e përshtatshme caktimi i një masë më të lehtë të sigurimit, kur kemi qenë përpara 2 fakteve penale, nga ana e prokurorisë nuk është kërkuar masa e sigurimit “Arrest me burg”, por ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”. Në këtë moment të hetimit, ku pozita dhe nevoja e sigurimit është rënduar, për shkak të hetimeve për 11 fakte penale, që janë dëshmi e rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit, organi i prokurorisë vlerëson të papërshtatshme masat e tjera të sigurimit personal, përvec masave të sigurimit “Arrest në burg” apo “Arrest në shtëpi”.
vi. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit ligjor për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg”, të parashikuara në pikën 2 të nenit 230, për shkak se: (a) nuk është një grua shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të; (b) nuk është një person që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë; (c) nuk është person që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç; (d) nuk është një person toksikoman apo i alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.
vii. Përmbushet kriteri ligjor i parashikuar në pikën 3 të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, për zëvendësimin e një mase më të lehtë sigurimi me një masë më të rëndë, për shkak se ndodhemi në rrethanën kur nevojat e sigurimit janë rënduar. Sikurse është argumentuar gjerësisht nevojat e sigurimit janë rënduar, në të dyja drejtimet: qoftë në drejtim të rëndësisë së faktit penal (nga 2 fakte/vepra penale aktualisht janë 11 fakte/vepra penale të dyshuara); qoftë në drejtim të sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete (sanksioni ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet).
Të nderuar kolegë deputetë,
Veçanërisht, në këtë procedurë parlamentare, duhet patur parasysh edhe impakti që do të kishte mosdhënia eventuale e autorizimit sipas kërkesës së Prokurorisë, që do të përbënte rastin e parë në historinë e Parlamentit, që pas fillimit të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, krijuar si një organ i specializuar për të luftuar fenomenin e pandëshkueshmërisë në rradhët e zyrtarëve të lartë.
Në një version të tillë, do të rezultonte se:
Së pari, mbajtja apo ruajtja e një imuniteti të tillë në vetvete është një cenim i parimit kushtetues të barazisë para ligjit, i cili është thelbi i vetë Shteti të së Drejtës. Maksima “Sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty” përmbyset duke u shndërruar në “nëse je anëtar i Parlamentit, i Këshillit të Ministrave, nëse ke mbështetjen e Edi Ramës, ligji nuk mund të të prekë”. Ky do të ishte sinjali më i gabuar që Parlamenti kurrsesi nuk duhet ta emetojë ndaj qytetarëve të tij.
Së dyti, vetë rregullat e imunitetit, në thelbin e tyre kanë potencialin e madh që të keqpërdoren nga deputetët, dhe të shndërrohen prej tyre në një strehë për t’u mbrojtur nga shkeljet e ligjit. Një vendimmarrje e tillë do të shërbente si një incentiv për të tërhequr në strehën e parlamentit njerëz më rekorde kriminale, plagë e madhe kjo, akoma shumë e freskët dhe aktuale e politikës shqiptare.
Së treti, rregullat e imunitetit në vetvete, dhe për më shumë akoma një vendimarrje për mbajtjen e imunitetit në rastin konkret do të minonte besimin e publikut te Parlamenti si institucion dhe do të krijonte përçmim për politikën, politikanët dhe vetë sistemin politik. Kuvendi, pa asnjë dilemë, duhet të miratojë dhënien e autorizimit sepse vetëm në këtë mënyrë, secili prej deputetëve veçmas, por edhe Kuvendi si një i tërë, tregon standardin më të lartë të sjelljes etike dhe bëhet model për të tërhequr në mjedisin politik njerëz të rinj dhe me vlera.
Së katërti, nëse Kuvendi voton për mbajtjen e imunitetit dhe për pengimin e drejtësisë, ky veprim do të ishte goditja më energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik brenda dhe jashtë vendit për Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, si themel edhe i rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Së pesti, mbajtja e imunitetit nga Kuvendi në rastin konkret tregon haptazi mungesë vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe rrjedhimisht, përbën një hap pas në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Kuvendi do të godasë fort pritshmëritë dhe përpjekjet e shoqërisë shqiptare për t’iu bashkuar familjes evropiane, e cila na ka vënë ndër të tjera edhe kushtin për luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit.
Të nderuar deputetë,
Përfundimisht, dëshirojmë të evidentojmë se në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë duhet të mbështetemi në ruajtjen e interesit publik, në nxitjen e luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, në mbrojtjen e reputacionit të Parlamentit, në mospengimin e drejtësisë, në mosndërhyrjen e kompetencave të sistemit të drejtësisë dhe në dhënien e mundësisë deputetit të cilit i kërkohet heqja e imunitetit, që të pastrojë figurën politike, në mënyrë të padyshimtë, nga një autoritet i pavarur dhe i paanshëm, siç është sistemi i drejtësisë, duke respektuar parimin e barazisë përpara ligjit.
Kjo arrihet vetëm nëse përmbushet Rekomandimi për “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda Balluku”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Në të kundërt, përmes mosmiratimit të Rekomandimit “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit për deputeten Belinda Balluku”, cenohet interesi publik; dekurajohet lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin; dëmtohet reputacioni i Parlamentit; pengohet drejtësia dhe Kuvendi shndërrohet në mburojë politike në mbrojtje të zyrtarëve të lartë të korruptuar; ndërhyhet në kompetencat e sistemit të drejtësisë; si dhe cenohet parimi i barazisë përpara ligjit.
Deputetëve i është dërguar:
1) Raporti i plotë (prej 48 faqe) të 5 anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin, përfaqësues të pakicës parlamentare.
2) Kërkesa nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së bashku me një Relacion të detajuar të Prokurorisë prej 63 faqe ku specifikohen rrethanat dhe provat (gjithësej 80 prova, të ndara në 12 volume) e fakteve penale për të cilat dyshohet deputetja Belinda Balluku.
3) Procesverbalet e plota të mbledhjeve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin të dateve 19.12.2025 dhe 23.02.2026, të dërguara përmes shkresës nr. 831/2 Prot. datë 27.02.2026 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
4) Nota Verbale e mbrojtësve të deputetes Balluku (parashtrimet me shkrim), që ju vunë në dispozicion Këshillit, të dërguar përmes shkresës nr. 831/1 Prot. datë 24.02.2026 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
5) Përsa i përket setit të plotë të povave (gjithësej 80 prova, të ndara në 12 volume – dërguar në mënyrë elektronike), ato mund të tërhiqen, ashtu sic Prokuroria e Posacme konfirmoi në mbledhjen e datës 19.12.2025, pas nënshkrimit nga secili deputet të “Deklaratës së ruajtjes së sekretit hetimor” të Prokurorisë së Posacme, pranë Sekretarisë së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që vepron sipas udhëzimeve të Kryetarit të Këshillit – Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi. Dëshirojmë të theksojmë se kërkesa e Prokurorisë i është drejtuar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (jo vetëm anëtarëve të Këshillit) dhe Prokuroria konfirmoi se provat janë të detyrueshme që të jenë pjesë e praktikës parlamentare të secilit deputet dhe se nuk ka asnjë pengesë ligjore nëse përmbushet kushti për ruajtjen e sekretit hetimor (nënshkrimi i deklaratës përkatëse).
Faleminderit!
