TIRANE – Deputetja e PD-së, Mesila Doda, denoncoi tratativat e qeverisë për të diskutuar ligjin e hapjes së dosjeve njëherësh me projektligjin e ish-dhjetoristëve, të cilët
tashmë e kanë dorëzuar në Kuvend.
“Ministri Veliaj zhvilloi një takim për çështjen e dosjeve dhe parimet e trajtimit të tyre. Është
hera e parë që, ndërsa një ligj ndodhet i depozituar në Kuvend, ligj i ofruar dhe i mbështetur nga shoqëria civile, studentët e dhjetorit dhe të persekutuarit, ekzekutivi zhvillon njëherazi procedura konsultimi për ligjin paralel që mban në ministrinë përkatëse. Ligji për lustracionin dhe hapjen e dosjeve ndodhet i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë qysh më datë 1. E ftoj ministrin të mos kërkojë të mbrojë krimin e djeshëm që është veshur me ofiqet e pushtetit të sotëm, por t’i bashkohet nismës që presin gjithë shqiptarët për të pastruar njëherë e përgjithmonë shtetin shqiptar, politikën, drejtësinë, administratën, median, nga spiunët dhe kriminelët. Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë në një aleancë të madhe kundër krimit të djeshëm e të sotëm, kundër fantazmave të së kaluarës që vazhdojnë t’i zënë frymën zhvillimit normal të vendit drejt progresit. Shteti shqiptar ka nevojë të spastrohet nga kriminelët dhe të korruptuarit”, shkruan Doda në “Facebook”.
(ar.sh/GSH/BalkanWeb)
