TIRANË- Një ditë pas arrestimit të vëllait të kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj me 19 kg drogë, Partia Demokratike thotë se droga u gjet jo në ambientet e biznesit të Artur Zotkaj, siç deklaron policia por në bzinesin e vetë kreut të bashkisë.

Deputetja e PD-së, Arbjola Halimi përmes një deklarate për media tha se oficerë policie që hetojnë prej kohësh, e dinë mirë se kush e drejton këtë biznes kriminal. Artur Zotkaj dhe 3 persona të tjerë u arrestuan dje nga policia e Beratit me 19 kg marijuanë.

DEKLARATA E PLOTË E PD  

Ngjarja e arrestimit të vëllait të kryetarit të Bashkisë së Policanit, për trafik droge, nuk është e plotë dhe po serviret gjysma-gjysma nga Policia për të fshehur implikimin e Adriatik Zotkajt në këtë histori.   Banorët e Poliçanit e dinë mirë se të kujt janë ambjentet ku u gjet droga. Oficerë policie që hetojnë prej kohësh, e dinë mirë se kush e drejton këtë biznes kriminal, dhe të dhënat janë se në magazinat e Zotkajt janë mbajtur e trafikuar edhe droga të rënda përveç hashashit. Eshtë pikërisht ky kryetar bashkie që nuk ka justifikuar dot pasurinë prej 1 milionë eurosh, dhe ndaj tij ka nisur edhe një procedim penal.   Kapja e drogës në ambjentet e Zotkajt është vërtetim i inkriminimit masiv, i krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim. Zotkaj është në radhët e kryebashkiakëve për të cilët ra këmbana e alarmit, por që Edi Rama sërish i kandidoi dhe u dha pushtet. Për zotkajt, bushët e roshët, peçët e ndonët, Edi Rama zvarriti dekriminalizimin, e bllokoi atë, duke u bërë mbrojtës i inkriminimit. Por dekriminalizimi do të bëhet dhe krimi në pushtet i ka ditët e numëruara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb