Anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji ka lajmëruar një takim me mbështetësit e tij në qytetin e Shkodrës, me misionin politik për riorganizimin dhe fuqizimin e Partisë Demokratike përballë qeverisjes në këtë kohë të skandaleve të aferave korruptive.
Takimi është njoftuar për në orën 18:00 të mbrëmjes, ndërkohë që reagimet kanë qenë të shumta, veçanërisht edhe nga dega lokale e PD-së në Shkodër.
Me një mesazh të shpërndarë strukturave dhe mbështetësve të saj, dega lokale njofton se takimi i Salianjit organizohet nga Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës dhe se ky takim i shërben vetëm Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë”, thuhet mes të tjerash në mesazh.
Njëkohësisht, Berisha dhe PD kanë njoftuar se po sot në orën 18:00 (e njëjta orë me takimin e Salianjit), do të mbajnë takimin e radhës të Foltores, me strukturat e partisë në qytetin e Korçës.
Mesazhi i degës së PD Shkodër:
“I dashur anëtar i PD Shkodër.
Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë.
Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtarë të degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”.

