Kreu i PD Sali Berisha, në një takim me krerët e degëve të Partisë Demokratike në rrethe, u shpreh se primaret kanë një rëndësi kapitale.
“Primaret duhet ti shohim si një proces të rëndësishëm jo vetëm për ne, por për mbarë shqiptarët. U premtuam ndryshimin dhe ja ku jemi para jush për ndryshimin. Ne do tu faktojmë shqiptarëve me të vërteta ndryshimin tonë. Shqiptarët na duan ne një forcë të ndryshuar që të besojnë në fitoren tonë”, tha Berisha.
Gjithashtu, kreu i PD nuk i kurseu kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa u shpreh se për karrigen e tij është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër dhe se deri më tani merr vendime antishqiptare.
“Ne i kemi të vërtetat. Të ulemi të demokratët, socialistët e vërtetë dhe njerëzit pa parti. Këtu çdo ditë më vijnë socialistë. Nuk janë rilindas. Përjetojnë të njëjtat situata. Hajde të bashkojmë kauzat. Të dy proceset janë jetike. Unë kam besim që ju do bëni gjithçka që njëri të mos pengojë tjetrin. Të ecin paralel. Protestë, këto 2-3 ditë do të vendosim protestën e përgjithshme. Duhet të parashikojmë të gjithë mjetet e mosbindjes civile.”, tha ai.
“Kemi të bëjmë me një njeri i cili për pasurimin e tij dhe karrigen e tij nuk njeh shoqërinë shqiptare. Nuk njeh interes kombëtar apo publik. I leverdis të marrë vendime anti shqiptare. Është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër të Vuçiçit, Erdoganit apo kujtdo qoftë. Shqipëria është shndërruar në çiflig të tij.
Nuk zbatohet asnjë normë dhe asnjë ligj. E ka ngarkuar me mision Vuçiçi për Ballkanin e Hapur dhe punon nga mëngjesi në darkë kundër Kosovës”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Rama ka nisur që tani manipulimin e zgjedhjeve, por ne nuk do t’i bojkotojmë, do të përballemi me të
Nuk bën dot regjistrimin, sepse e di që mund të dalin 2 milion shqiptar. Nga një njeri i cili, vritet tjetri në mesnatë, i merret shpirti në mesnatë nga patrulla të droguara policie dhe ta shikoni se çfarë shkruan ai për hienat dhe stërhienat.
Një mendje e sëmurë mund të shkruajë gjëra të tilla. Nga një njeri i cili pasi ka rrëmbyer me ushtrinë e patronazhistëve, terroristë të kuq, nuk them se çdo patronazhisht është i tillë, por një pjesë e mirë janë sjellë si terroristë te kuq në zgjedhje sepse kanë kërcënuar njerëzit tanë. U kanë thënë se nëse ti voton këtë, do të kesh pasoja. Ky njeri që ka ardhur në pushtet me këtë mënyrë, ushtron terror mbi ne.
Ky njeri ka nisur manipulimin e zgjedhjeve dhe mendon se ne do ti bojkotojmë. Ne nuk bojkotojmë zgjedhje ne do të përballemi me të. Ne kemi të shenjtë votën dhe do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
Nis e mbush sallat me fëmijë shkollash në fushatë. Se është partia shtet. Partia shtet nuk njeh asnjë kufi. Ne nuk i përkasim Shqipërisë, nuk ka ligj për ne, nuk ekziston në kushtetutë. Prandaj ne kapemi fort tek vota.
(BalkanWeb)
