PD ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e KAYO-s, por mazhoranca e ka rrëzuar kërkesën me forcën e kartonit.
“Çdo shqiptar do të duhet të dijë se si i mori ato para miku i Edi Ramës, Ron Yefet”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas tij, një Komision Hetimor ka për qëllim mbledhjen dhe verifikimin e informacionit. Bardhi tha se në kërkesën e opozitës janë paraqitur informacionet dhe indiciet që lidhen me aktivitetin e KAYO-s.
“Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti, çfarë aktiviteti ka”, tha Bardhi, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet e kompanisë me partnerët privatë.
Ai iu referua edhe audiopërgjimeve të bëra publike, duke pretenduar se në to flitet për trafik armësh dhe shitje të armëve në vende në konflikt. Këto janë pretendime të opozitës dhe audiopërgjimet nuk përbëjnë, në vetvete, provë të verifikuar për kryerjen e një vepre penale. Kërkesa e opozitës synon pikërisht verifikimin institucional të këtyre pretendimeve.
Bardhi tha se opozita ka kërkuar prej kohësh informacion nga Ministria e Mbrojtjes për aktivitetin e KAYO-s, kontratat dhe marrëveshjet e lidhura me kompanitë private.
Gazment Bardhi: Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit.
Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi. E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?!
Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro?
Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit.
