Gazetarja Denada Kola, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me protestat e opozitës, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po organizohen dhe menaxhohen ato.

Kola theksoi se opozita mund të kritikohet për një qasje të lehtë në organizimin e protestave. Ajo përmendi përdorimin e presionit me ujë nga policia, që sipas saj përzihet me lëndë djegëse, si dhe hedhjen e gazit lotsjellës pa kriter.

“Shoh një zemërim, por jo një revoltë të mirëfilltë. Në mandatin e katërt të PS-së, me këto afera korruptive, duhej të kishte revoltë”, u shpreh gazetarja.

Sipas saj, shpeshtësia e protestave dhe përsëritja e të njëjtit skenar javë pas jave, pa një strategji të qartë dhe pa drejtim të mirëorganizuar, e zbehin reagimin qytetar. “Krijohet një ndjesi ‘déjà vu’-je, protesta që nuk të çojnë askund dhe që duken si rrugë pa krye për opozitën”, tha ajo.

Kola nënvizoi se ka shumë arsye për të protestuar, por shtroi pyetjen pse Partia Demokratike dhe opozita në tërësi nuk po arrijnë të kanalizojnë të gjithë revoltën e shqiptarëve. Ajo solli në vëmendje faktin se Belinda Balluku u thirr në SPAK më 20 nëntor, ndërsa protestat po zhvillohen disa muaj më pas.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb