Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te roli i opozitës, protesta e Partisë Demokratike dhe pritshmëritë e publikut ndaj klasës politike.
Andoni u shpreh i surprizuar nga numri i pjesëmarrësve në protestën e fundit të PD-së, por theksoi se kjo vjen si pasojë e mobilizimit të një pjese të ndjeshme të elektoratit demokrat. “Jam habitur që PD mblodhi aq shumë njerëz. Ata luajnë me pjesën sensitive të komunitetit demokrat. Prej kohësh, sa herë jepen objektiva maksimalë, duhet të ecësh në këtë rrugë,” tha ai.
Sipas analistit, PD ka përsëritur disa herë të njëjtën retorikë politike, duke paralajmëruar fundin e qeverisë Rama pa sjellë rezultate konkrete. “Është hera e disatë që PD thotë ‘sot është dita e fundit e Ramës’ dhe nuk ndodh asgjë. Madje pritej edhe një përshkallëzim i vogël me molotovë dhe as kjo nuk ndodhi. Kjo tregon që PD nuk është inovatore, as në Parlament dhe as në protesta,” theksoi Andoni.
Ai e përshkroi situatën aktuale politike si shqetësuese, duke e krahasuar me poezinë “E pashë atdheun tim lakuriq”. Sipas tij, shqetësim ka edhe brenda radhëve të socialistëve, të cilët shohin individë me nivel të ulët intelektual që administrojnë financat e vendit. Në këtë kontekst, Andoni tha se PD duhet të tregojë qartë se është ndryshe nga qeveria aktuale. “Shqiptari i thjeshtë kërkon normalitet. Ky është problemi i madh i PD sot,” u shpreh ai.
Analisti shtoi se, pavarësisht skandaleve, kryeministri Edi Rama arriti të përmbyllë normalisht mandatin e tretë, ndërsa mandati i katërt, sipas tij, do të jetë shumë më i vështirë. Ai vlerësoi se Partia Demokratike e ka përfunduar misionin e saj politik, duke theksuar se brenda saj ka shumë kundërshti dhe figura që pretendojnë protagonizëm.
Andoni kritikoi edhe Partinë Socialiste, duke thënë se edhe ajo e ka mbyllur misionin e saj politik. “PS prej kohësh nuk përfaqëson më elektoratin e majtë, as në politikat ekonomike dhe as në filozofinë sociale,” tha ai.
Në fund, analisti u ndal edhe te roli i drejtësisë, duke theksuar se pritshmëritë e publikut janë të larta dhe se veprimet e SPAK-ut janë të ndikuara edhe nga faktori ndërkombëtar. Sipas Andonit, nëse drejtësia do të kishte një qasje të plotë reformuese, do të shqyrtonte edhe volumin e madh të dosjeve të qytetarëve, ndërsa aktualisht goditjet janë perceptuar më shumë si politike, si ndaj PS-së ashtu edhe ndaj PD-së.
