Partia Demokratike nuk do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë më 9 nëntor.

Deputeti i PD dhe drejtues politik i qarkut të Tiranës Belind Këlliçi deklaroi në studion e News24 se megjithëse dekreti i presidentit Begaj është antikushtetues, opozita nuk mund të humbë mundësinë e betejës për bashkinë e Tiranës, për faktin se prej vitesh ka kërkuar dorëheqjen e ish-kryebashkiakut socialist Erion Veliaj.

“Edhe pse e njohim faktin që Begaj ka nxjerrë një dekret antikushtetues për zgjedhjet në Tiranë, duke qenë se kemi udhëhequr një aksion politik, nuk e lëmë garën bosh, e përshëndesim kryerjen e zgjedhjeve në Tiranë, duke vënë interesin e qytetarëve përpara”, tha Këlliçi.

I pyetur nga moderatorja Ina Qirjo nëse do të jenë 3 emrat e bërë publikë në media mes kandidaturave, Këlliçi tha se do të ketë diskutime të tjera për të finalizuar pas 2-3 ditësh emrin e kandidatit.

“Duke patur qëllim maksimalizimin e votave dhe krijimin e një fronti më të gjerë opozitar përballë Manastirliut që ne e konsiderojmë shumë të dobët ne kemi dhe alternativën e tretë që mos dalim si PD por të dalim si një front i unifikuar si koalicion”, tha Këlliçi.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb