Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar përmes një sqarimi zyrtar lidhur me mungesën e përfaqësimit të opozitës në delegacionin e Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani.
Në deklaratë thuhet se, pas kërkesës së datës 4 mars 2026 nga Kryetari i Kuvendit për të propozuar dy deputetë për delegacionin, PD kishte caktuar Tomorr Alizoti, nënkryetar i grupit parlamentar dhe i Grupit të Miqësisë Shqipëri–Gjermani, si dhe Klevis Balliu, nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe anëtar i të njëjtit grup miqësie.

Sipas PD-së, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në mënyrë të njëanshme dhe pa dhënë arsye, ka vendosur të përjashtojë përfaqësuesit e opozitës nga delegacioni zyrtar në Bundestag.
Demokratët e cilësojnë këtë veprim si të paprecedentë dhe në kundërshtim me standardet demokratike, duke theksuar se përjashtimi i opozitës nga përfaqësimi institucional tregon, sipas tyre, një distancë të madhe nga praktikat e vendeve europiane.

Në reagim, PD ngre gjithashtu akuza ndaj maxhorancës për lidhje me krimin e organizuar dhe për mbrojtje të korrupsionit në Parlament, ndërsa kritikon qasjen ndaj opozitës si “armik”.
Pavarësisht kësaj situate, Grupi Parlamentar i PD bën të ditur se po zhvillon takime të planifikuara më herët në Bundestag dhe në qeverinë federale gjermane, duke theksuar se opozita po përfaqëson Shqipërinë dhe Partinë Demokratike “me dinjitet” dhe me qëndrime të qarta në mbështetje të shtetit ligjor dhe integrimit europian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: