Gazetari Erl Murati ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me Ola Brukon, qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj protestave dhe bojkotit parlamentar të opozitës.

Murati u shpreh se Berisha bëri gabim që “luftoi” protestuesit, duke argumentuar se opozita duhet të ketë si synim marrjen e pushtetit dhe jo ruajtjen e një pozicioni të përhershëm si forcë opozitare. Sipas tij, Partia Demokratike duket se po përpiqet të ruajë monopolin e opozitarizmit në Shqipëri, ndërsa protestat mund t’i sfidojnë këtë pozicion.

Gazetari u ndal edhe te bojkoti i seancave dhe komisioneve parlamentare nga PD-ja, duke kujtuar se kjo nuk është hera e parë që opozita ndërmerr një veprim të tillë. Ai tha se pas 13 vitesh në opozitë, PD-ja duket e lodhur, ndërsa Kuvendi është kthyer në një hapësirë ku opozita nuk ka mundësi të ushtrojë ndikimin e saj dhe ku kërkesat për interpelanca nuk merren parasysh. Murati shtoi se, ndryshe nga opozita, kryeministri Edi Rama nuk duket i lodhur nga pushteti, ndërsa përmendi edhe zhvillimet rreth Erion Veliajt në burg. Ai vlerësoi se bojkoti i komisioneve parlamentare nga opozita mund të jetë i përkohshëm.

“Berisha “luftoi” protestën, por është e gabuar për mendimin tim. Qëllimi i opozitës është të vijë në pushtet dhe jo të jetë një kryeopozitar i përjetshëm. Opozita duhet të ketë ambicie pushtetin, por mesa duket pushteti nuk është ambicia e PD-së, por ruajtja e monopolit të opozitarizmit në Shqipëri.

PD-ja nuk është hera e parë që braktis seancat dhe komisionet parlamentare. Duket se opozita është lodhur 13 vite në opozitë. Por duket se Rama jo vetëm që nuk është lodhur, por shkon dhe kërcënon Veliajn në burg. Kuvendi është kthyer në zë monokratik, ku opozita nuk ka fuqi. Opozitës nuk i jepet zë dhe nuk i merren parasysh kërkesat për interpelancë. Besoj se bojkoti i opozitës për komisionet është i përkohshëm.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb